Paralajmërohen reshje shiu intensive në disa qarqe, ja zonat ku priten shtrëngata
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se vendi do të përfshihet nga reshje mesatare deri në shumë intensive në disa qarqe të vendit, gjatë pasdites së kësaj të enjte dhe ditës së nesërme, 13 nëntor.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së 12 nëntorit, reshje mesatare deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata, priten në qarqet Shkodër dhe Kukës.
Ndërsa për ditën e nesërme, reshje intensive deri lokalisht shumë intensive parashikohen në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
AKMC paralajmëron se si pasojë e reshjeve mund të ketë grumbullime të përkohshme të ujit në disa zona urbane, ndërsa në zonat malore ekziston rreziku i vërshimeve të përrenjve dhe rrëshqitjeve të dherave.
Agjencia u ka kërkuar strukturave vendore të marrin masa parandaluese, të monitorojnë zonat me rrezik dhe të mbajnë në gatishmëri kapacitetet për ndërhyrje në rast nevoje.
Ndërkohë, qytetarëve u është bërë thirrje të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj rrezikut, si dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.