“Partneritet më i fortë”- Ministri Hoxha pret ambasadoren e Danimarkës: Rihapja e ambasadës në Tiranë, votë besimi p�
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka pritur në një takim ambasadoren e re të Mbretërisë së Danimarkës në Shqipëri, Louise Elisabeth Rigtrup Holmsgaard.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha ka vlerësuar vendimin e Danimarkës për rihapjen e ambasadës së saj në Tiranë, duke e cilësuar si një dëshmi të besimit ndaj Shqipërisë dhe një hap të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjatë takimit, palët diskutuan për thellimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushat e energjisë së rinovueshme, inovacionit digjital dhe turizmit të qëndrueshëm.
“Diskutuam për mënyrat se si mund të thellojmë dialogun politik dhe të zgjerojmë shkëmbimet tregtare dhe investimet, veçanërisht në fushat e energjisë së rinovueshme, inovacionit digjital dhe turizmit të qëndrueshëm. Në të tria këto fusha, ekspertiza daneze dhe ambiciet e Shqipërisë plotësojnë natyrshëm njëra-tjetrën, me potencial real për bashkëpunim konkret dhe me përfitim të ndërsjellë.
Falënderova Danimarkën për mbështetjen e saj të palëkundur ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe për një proces zgjerimi të besueshëm e të bazuar në meritë.
Si aleatë në NATO, ndajmë gjithashtu një interes të drejtpërdrejtë për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në hapësirën më të gjerë euroatlantike. Ambasadore Holmsgaard, mirë se vini në Shqipëri. Pres me kënaqësi të punojmë ngushtë së bashku dhe ta shndërrojmë këtë prani të ripërtërirë daneze në një partneritet edhe më të fortë mes vendeve tona”, shkruan Hoxha mes të tjerash në X.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.