Europa

Pas fatkeqësisë – Politikanët dhe kishat mbajnë zi me familjarët e viktimave

Pikëllim dhe trishtim pas rrëzimit të avionit gjerman A320 në Alpet franceze. Asnjë nga pasagjerët nuk ka mbijetuar. Shkaku i rrëzimit ende nuk dihet.

Deutschland Haltern am See Absturz Germanwings A320

Germanwings 4U 9525 duhej të vinte nga Barcelona në Düsseldorf, por nuk mbërriti kurrë. Me 150 njerëz në bod avioni i shoqërisë ajrore, bijë e Lufthansës, u rrëzua në Alpet e Francës në një zonë të paarritshme ne lartësi 1500 metra. Qindra forca shpëtimi u dërguan menjëherë në vendin e aksidentit, në malet Estrop, por nuk mundën të bënin më dot asgjë. Asnjë pasagjer nuk ka mbijetuar, njoftoi gjendarmëria franceze, në mesin e tyre edhe 67 gjermanë. Ndër ta edhe një klasë me nxënës nga qyteti Haltern në landin Nordrhein-Westfalen (NRW), të cilët kishin qenë në Spanjë për një kurs të gjuhës spanjolle.

“Vendi i ngjarjes është një vend tmerri”, tha ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili shkoi menjeherë atje pas katastrofës. Ambasadorja gjermane në Francë, Susanne Wasum-Rainer, foli për një “ditë të zezë për Gjermaninë, Spanjën dhe Francën.”

Harta e vendit të rrëzimit të Germanwings
Harta me vendin e rrëzimit të avionit

Alarmin e dhanë autoritetet franceze paradite. Avioni kishte pësuar rënie gjatë fluturimit për arsye të panjohura dhe ishte zhdukur nga monitorët e radarëve. Avioni i nisur paradite nga Barcelona u rrëzua rreth 100 kilometër në veri të Nicës. Pjesë të avionit janë gjetur në zonën ndërmjet Digne dhe Barcelonnette në Alpet e jugut. Gjetja e trupave të pajetë do të vazhdojë ndoshta me ditë të tëra për shkak të rajonit tepër të vështirë. Zona e rrëzimit të avionit ndodhet në Alpet franceze në një zonë me borë, të pakalueshme për makinat.
Shkaku i fatkeqësisë më të madhe ajrore në Evropë prej vitesh, është fillimisht i paqartë. Kryeministri francez Manuel Valls tha në parlamentin francez: “Në këtë moment nuk mund të përjashtohet asnjë hipotezë.

Merkel shkon të merkurën në vendin e aksidentit

Qeveria gjermane ka ngritur ndërkohë një shtab krize. Kancelarja Angela Merkel, e cila anulloi të gjitha takimet e ditës së sotme, shprehu tronditjen e saj të thellë për aksidentin. Ajo do të shkojë sot (25.03) në vendin e rrëzimit të avionit në Francë.

Berlin Germanwings Flugzeugabsturz Statement Merkel

“Rrëzimi i avionit me më shumë se 150 njerëz në bord është një shok, një pikëllim i thellë për ne në Gjermani, për francezët dhe spanjollët.” Ajo tha se nuk ka shumë informacione për shkakun e rrëzimit. Çdo spekullim duhet t’ia ndalojmë vetes. “Tani është momenti, kur ne ndjejmë pikëllim të thellë.” Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier deklaroi se qeveria gjermane është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze. Steinmeier u shprehu ngushëllimet e tij familjarëve të pasagjerëve dhe të anëtareve të ekuipazhit.

Kishat protestante dhe katolike në Gjermani bënë thirrje për lutje për viktimat dhe të afërmit e tyre. “Ne mendojmë për viktimat e kësaj fatkeqësie, që mori njerëzit papritur në mes të jetës”, tha kryetari i konferencës ipeshkvnore gjermane, Reinhard Marx. Kryetari i këshillit të kishës protestante, Heinrich Bedford-Strohm, tha se lajmi për fatkeqesinë e kaq shumë njerëzve është shokues. “Në lutje dhe mendime jemi me viktimat dhe familjarët”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button