Pasiguria e financimit vë në rrezik planin britanik të mbrojtjes, paralajmëron auditori kombëtar
Plani i Investimeve në Mbrojtje i Britanisë kushton 28.8 miliardë paund më shumë se parashikimi, është vonuar dhe Ministria e Mbrojtjes nuk e di ende rrugën drejt objektivit të NATO-s për 3.5% të PBB-së deri në vitin 2035, sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Pasiguria e financimit përbën rrezik serioz për zbatimin e Planit të Investimeve në Mbrojtje (DIP) të Britanisë, i cili është vonuar tashmë nga një nënvlerësim i madh i kostove, paralajmëroi të mërkurën Zyra Kombëtare e Auditimit (NAO), siç njofton Reuters.
Sipas NAO-s, Ministria e Mbrojtjes ka siguri të kufizuar se do të mund ta zbatojë planin në tërësi. Qeveria i është zotuar NATO-s se do të shpenzojë 3.5% të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2035, por ministria nuk e di ende trajektoren e kësaj rritjeje, gjë që, sipas auditorit, është thelbësore që ministria dhe industria të përgatiten në kohë. Ministri i Mbrojtjes Wes Streeting ka thënë se Britania duhet të jetë gati të luftojë ose të frenojë veprime ushtarake brenda 1.000 ditësh, për shkak të kërcënimit në rritje rus.
Plani, i shpallur në qershor, kushton 28.8 miliardë paund më shumë sesa ishte parashikuar në buxhetin e rishikimit të shpenzimeve të vitit 2025. NAO thotë se, ndonëse ministria e sheh planin si të përballueshëm në katër vitet deri në 2029-30, disa parashikime kostosh janë të vjetruara dhe lufta në Iran i ka shtuar kostot me rreth 1 miliard paund vetëm këtë vit, sipas vlerësimeve të vetë ministrisë.
Edhe planet për kursime efiçence prej afro 11 miliardë paundësh deri në 2029-30 i quan auditori “jashtëzakonisht ambicioze”: më pak se 3 miliardë prej tyre mbështeten në plane të zhvilluara mirë. Për të ulur kostot, ministria ka shkurtuar ndjeshëm shpenzimet për stërvitjen ushtarake, gjë që NAO vëren se do të krijojë boshllëqe në aftësi dhe do të ulë gatishmërinë.
Raporti vjen në një moment kur Londra po përpiqet të rindërtojë aftësitë e saj mbrojtëse dhe të bindë aleatët e NATO-s se objektivi i ri i shpenzimeve do të shoqërohet me plane konkrete financimi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.