SHBA – Trump nuk përjashton faljen presidenciale për drejtuesin e “Nvidia”-s
UASHINGTON, 25 nëntor /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e dhënies së një faljeje presidenciale për drejtuesin ekzekutiv të “Nvidia”-s, Jensen Huang, në rast se ai shpallet fajtor për ndonjë vepër penale.
“Është gjithmonë një mundësi, besoj, por nuk mendoj se do të jetë e nevojshme”, deklaroi Trump në një intervistë për gazetën “New York Post”.
Huang dha dorëheqjen më 12 nëntor, pasi u publikuan raportime për të paktën dy marrëdhënie jashtëmartesore. Njëra prej tyre thuhet se përfshinte një drejtues të një kompanie kliente të “Nvidia”-s, i cili dyshohej nga autoritetet amerikane për lidhje me zbulimin kinez. Marrëdhënia tjetër raportohet se përfshinte një drejtues të lartë të vetë “Nvidia”-s, i cili raportonte drejtpërdrejt te Huang.
Një tjetër çështje që ka ngritur shqetësime lidhet me dyshimet nëse drejtues të “Nvidia”-s kishin dijeni për dërgesa të çipave drejt Kinës, të cilat mund të kenë anashkaluar kufizimet amerikane të eksportit.
Megjithatë, “Nvidia” njoftoi të hënën rikthimin e Huang në postin e drejtorit ekzekutiv, vetëm 11 ditë pas largimit të tij.Presidenti Trump deklaroi se kishte bindur bordin e kompanisë për ta rikthyer atë në detyrë.
Presidenti amerikan ka thënë më herët se Huang nuk përbën rrezik për sigurinë kombëtare, ndërsa deklaratat e prokurorit të përgjithshëm Todd Blanche kanë lënë të kuptohet se nuk ishte planifikuar një hetim penal ndaj tij.
Pavarësisht kësaj, ligjvënës si nga Partia Demokratike, ashtu edhe nga ajo Republikane, kanë kërkuar një shqyrtim më të thelluar të çështjes së Huang dhe Nvidia-s.
Drejtuesi i kompanisë pritet të dëshmojë javën e ardhshme përpara Komitetit të Senatit për Çështjet Bankare. Presidenti Trump e këshilloi atë që gjatë seancës të “thotë të vërtetën”.
Presidenti amerikan zbuloi gjithashtu se kishte shqyrtuar mundësinë që qeveria amerikane të marrë një pjesëmarrje aksionare në Nvidia.
“Ndoshta nuk është ende tepër vonë”, tha Trump për gazetën.
Administrata Trump ka siguruar më parë një pjesëmarrje prej afro 10 për qind në kompaninë rivale Intel, në këmbim të miliarda dollarëve financim qeveritar, që fillimisht ishte parashikuar për ndërtimin e fabrikave të reja të prodhimit të çipave në SHBA. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.