Politika

Patozi: Kryesia e re nuk përfaqëson vlerat e PD, po goditen në mënyrë staliniste mbështetësit e Olldashit

Ish nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi kritikon ashpër kryetarin Lulzim Basha për mënyrën se si udhëhoqi proceisn zgjedhor në parti dhe se si po largon prej saj të padëshiruarit.

patoziNë një intervistë të dhënë sot për gazetën “Panorama” ai deklaron se kryesia e re e zgjedhur dy javë më parë nuk përfaqëson vlerat e Partisë Demokratike.

“Jam i bindur se shumica e zigzakeve dhe piruetave për të ardhur deri në zgjedhjen e kryesisë së re janë bërë për të goditur një pjesë të anëtarësisë së Partisë Demokratike, tek e cila është konstatuar papërputhshmëri me “vizionin” e kryetarit. Dhe nëse doni mendimin tim me një fjali Basha arriti të zgjidhte fiks kryesinë që donte, por ajo, sipas meje, nuk i përfaqëson të gjitha vlerat e PD”, deklaron Patozi.

Ish kreu i grupit parlamentar demokrat i përgjigjet Bashës edhe për akuzën se ka persona që po përdorin për qëllimet e tyre personale emrin e Sokol Olldashit. “Nuk di për kë e ka pasur fjalën zoti Basha, por në përgjithësi njerëzit përdorin rrethana që mund t’u shërbejnë për mirë, dhe jo gjëra që mund t’u prishin pune. Ndaj edhe bie argumenti që mund të jem unë apo disa të tjerë ata që po e përdorkan emrin e Olldashit. Sepse, e them pa asnjë mëdyshje, që nga vera e 2013 e deri më sot është goditur çdo anëtar i PD-së që është identifikuar si mbështetës i tij, dhe kjo është e turpshme. Kjo është staliniste”, vijon Patozi.

I pyetur nëse do të zbatojë deri në fund vendimin e grupit parlametar për bojkot, çka mund të rrezikojë edhe djegien e mandatit, Patozi përgjigjet “Më shumë se djegia e mandateve të deputetëve të opozitës, mua më shqetëson raporti i kryetarit të Partisë Demokratike me grupin e saj parlamentar. Nuk dua të ekzagjeroj, por më duket, jo vetëm i papranueshëm, por gati përcmues trajtimi që i bëhet deputetëve të PD-së. Nuk është ndonjë gjë e re dhe është i njohur botërisht fakti që ne nuk mblidhemi që prej shtatorit. Qoftë edhe për t’i pyetur njerëzit në janë gjallë apo si i kanë nga shtëpia. Duket qartë se ka një synim të pastër për ta defaktorizuar grupin, ndaj edhe kam arsye të dyshoj se edhe vetë bojkoti ka qenë në funksion të këtij qëllimi”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button