Pavioni i të marrëve ku e ftuan Lea Ypin

Ashtu sikurse çdo shkrimtar, në çdo vend normal të botës, i cili sa nga kurioziteti vanitoz për të dëgjuar se ç’mendojnë për veprën e tij të fundit, po aq dhe nga detyrimet e marketingut që i vendosin botuesit, Lea Ypi, zbarkoi këtë ndërrim vitesh, në vendin e saj të origjinës, për të promovuar librin e vet të ri, “Të poshtëruar”.
Në vend të një debati për këtë sagë familjare që fillon në Stamboll, në vitet e muzgut të perandorisë ottomane, që kalon nga Selaniku, për të parakaluar në periudhën e mbretërimit karikatural të Zogut, në egërsinë e diktaturës dhe më pas nëpër kapitalizmin liberticid të këtyre tre dekadave, atë e priti një fortunë në gotë. Mjaftoi një pandehmë paranojake e prodhuar nga personazhe periferikë të rrjeteve sociale, se ajo ishte një kandidate e mundshme për qeverinë teknike, që prtitej të vinte pas rrëzimit të Ramës, që i gjithë kori i konspiracionistëve të vihej në punë.
Disa nxituan të akuzonin se ajo ishte kali i trojës së kryeministrit aktual, i cili po kërkonte të linte stafetën, pasi Amerika ia kish hequr vizën. Të tjerë tregonin me gisht fondacionin Soros, që pas dështimit të projektit Veliaj, po sponsorizonte në skenën e re, një të pilotuar po prej tij. Të tretë shkonin më larg, duke aluduar për një skemë komplekse, ku qenë të përfshira dhe një sërë mediash perendimore me prirje majtise. A ju duket e rastësishme që kopertinën e librit të saj të parë e vizatoi Edi Rama, që pritjen e promovimit e organizoi po ai, që ajo qëllon të ketë të njëjtën shtëpi botuese me “Kurbanin”?
Sado rrënqethëse të ngjajë ngritja e kësaj tymnaje haluçinative, ajo do ishte e kuptueshme nëse, ashtu sikurse ndodh rëndom me librat e suksesshëm, thashethemet rreth tyre do të kishin mbetur në thellësitë e komenteve komplotiste të Facebook-ut. Por jo. Madje ndodhi krejt e kundërta. Pothuajse në të gjitha intervistat që ajo dha në Tiranë, nga gazetarët, pikërisht nga ata që kanë si punë parësore shoshitjen e informacionit të gënjeshtërt me atë të vërtetë, për ti servirur publikut këtë të dytin, asaj iu bë e njëjta pyetje. A kishte ardhur të futej në politikë dhe të merrte drejtimin e qeverisë së re teknike? Më kot Lea Ypi rekej të mohonte, të shpjegonte se në mendësinë e saj, kryeministër nuk mund të bëhesh me një takim në një kafe, por falë konkurimit garues e demokratik brenda partive, se e gjitha kjo s’qe asgjë tjetër veçsje vijimi i Big Brother-it në politikë, zëri i saj shuhej në erësirë.
Në intervistën tjetër pyetja, që kishte marrë njëherë përgjigje i përsëritej, e madje, të kënaqur që e kishin bërë, autorët e emisioneve e shpërndanin në mënyrë triumfale, për të mëkuar me ushqim të gatshëm peshqit budallej të TikTok-ut. Pak orë më vonë lajmi përhapej “copy paste” në një numër të pafundëm mediash.
Kulmi arriti kur pyetja u bë edhe në një nga konferencat për shtyp të Berishës dhe lideri i opozitës shprehu me seriozitet këndvështrimin e tij.
Pra, në një hark kohor prej dy tre javësh mendje të sëmura, personazhe bota e varfër e të cilëve fillon dhe mbaron tek nënshtrimi ndaj politikës, dolën në plan të parë duke bërë të harrohet ai grusht lexuesish që merrnin pjesë në takimet me autoren.
Publiku u ushqye me një debat të kotë, të pjellë nga hiçi, i cili iu mbivendos një tjetri që realisht do ia kishte vlejtur: atij për mesazhet e dy librave, “Të lirë” dhe “Të poshtëruar”.
Personalisht vetë parapëlqej të parin, i cili është një nga ato krijime, që dikush e mban për një kohë të pamatë brenda vetes, e rrotullon, e bluan për ta pjellë në një moment që nuk e ndalon dot më. E pëlqej edhe për diçka tjetër, sepse është ndoshta e para vepër e periudhës së tranzicionit e cila ngre në shqip pikpyetjen e humbjes së lirisë në periudhën post komuniste, e cila reket të kuptojë se si mund të shtrembërohet njeriu që kujton se i ka shpëtuar një diktature të egër, në epokën neo liberale, se si mund të bëhet ai i varur nga pushteti i parasë, se si mund të zhbëjë solidaritetin dhe të mësohet me padrejtësitë e reja.
A ia vlen në një shoqëri si jona të debatohet për këto? A nuk ka më tepër dobi të ngrejmë pyetjen se si një pinjolle e një familjeje që ka vujatur pasojat e aplikimit të shtrembër të teorive të Marksit, të vendosë ti mësojë studentëve të saj doktrinën e atit të Dikataturës së Proletariatit, duke pretenduar madje se janë idetë socialiste ato që të shpien drejt lirisë? Po nga libri i saj i fundit, a nuk do ishte me interes të thelloheshim në tema si roli i individit përkundrejt regjimeve, pesha dhe rëndësia që duhet ti japim dosjeve të së shkuarës në ditët e sotme, dinjitetit që mund të ruhet apo të dorëzohet në kohë të vështira.
Paradoksalisht, romani “Të poshtëruar” pretendohet se nisi nga ringjallja e një fotoje të së shkuarës dhe nga komentet malinje në rrjet që shoqëruan publikimin e saj. Po me të njëjtën mënyrë u prit në Tiranë, disa vite me pas edhe promovimi i tij. Jo duke dëmtuar librin. Aq më pak vetë autoren, e cila do të vijojë të japë intervista e të takojë lexuesit në vende të reja ku romani i saj do të përkthehet. Por për të na kujtuar, neve këtu, se sa TE PA LIRE na ka bërë periudha në të cilën jetojmë, ku marrja nëpër gojë mposht debatin mbi idetë, ku komplotizmi fiton mbi të vërtetat e thjeshta, ku turravrapi pas personit, vret atë që ai do të thotë, ku mendjet e politizuara u imponohen atyre të hapurave.
Me historinë e dalë nga hiçi të kryeministrit teknik ne u munduam ta kyçim për pak ditë, Lea Ypin, në një atmosferë të marrësh, ndoshta pa kuptuar se ky është pavioni ku kalojmë gjithë kohën vetë.



