Politika

PD, Basha: PS, mazhorancë fiktive. Selami: Problemin ta shohim tek vetja

Në kuadër të fushatës për kryetar të PD, Lulzim Basha zhvilloi këtë të martë takime me demokratët e Tiranës në zonat e Vorës, Kombinatit, Kasharit, Dajtit e Farkës.
Basha tha se mazhoranca e zgjedhjeve të 25 Qershorit është fiktive dhe reflekton vetëm shit-blerjen masive të votës së shqiptareve dhe si e tillë nuk do mund të qeverisë.
“Kjo që ka dal nga këto zgjedhje është një mazhorancë fiktive që reflekton vetëm shtrembërimin e votës. Kjo që ka dal nga këto zgjedhje kurrësesi s’mund të jetë një qeveri legjitime dhe nuk ka shansin të qeverisë në mënyrë legjitime dhe të drejtë. Jo vetëm sepse vjen me një defiçit demokratik pa votën e vërtetë të qytetarëve, pa vullnetin e vërtetë të qytetarëve, por se ardhja pa plan e pa vizion po duket që këto orë, ditë e javë të para. E keni parë që s’kanë para të paguajnë rrogat e mësuesve. Ekonomia është në kolaps, këta nuk kanë zgjidhje. Financat publike janë në kolaps, këta nuk kanë zgjidhje”, tha Basha.
Ndonëse 18 Maji legjitimoi kauzën e zgjedheve të lira, tha Basha, Edi Rama minoi terrenin elektoral me projektin e tij politik për të blerë votën e shqiptare duke përdorur  paratë e drogës, korrupsionin e parave publike dhe bandat.
Ndërkohë, kandidati rival Eduard Selami ka theksuar po me strukturat e Tiranës se platforma e tij synon të rikthejë të djathtën në identitet. Partia Demokratike, tha ai, po  shkon nga humbja në humbje, pasi ka braktisur shtyllat kryesore, nga çështja e pronave deri tek të përndjekurit.
“Po vazhdojmë të humbasim se kemi braktisur demokratët, kemi braktisur strukturat dhe demokracinë. Do të rikthehemi më të fuqishëm vetëm kur të vendosim këto themele më të forta sesa i kemi pasur”, tha Selami.
Selami kërkoi një analizë të sinqertë, pasi, siç u shpreh ai, asgjë nuk zgjidhet duke dalë në dritare dhe gjetur gabimet tek të tjerët.
“Është koha për një analizë të sinqertë dhe që t’i shikojmë gjerat në sy. Nuk mjafton të shohim çfarë bën kundërshtari. Kundërshtari atë punë ka. Unë i përkas atij grupi që kur diçka nuk shkon, gabimin e gjej te vetja. Njerëzit që shikojnë në dritare për të fajsuar të tjerët nuk janë ata që ecin përpara dhe kanë sukses”, tha Selami.
Garën për kryetar, Selami e cilësoi të pabarabartë, por tha se është futur me qëllimin për të përmirësuar dhe për të dhënë eksperiencën e tij për ringritjen e Partisë Demokratike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button