PD dorëzon në KQZ 3 kërkesa për referendum
Partia Demokratike depozitoi sot 3 kërkesa për referendume vendore. Kërkesat janë “për parkimin nëntokësor tek Parku Rinia, ndërtimin e objekteve social-kulturore dhe administrative në dy anët e Korpusit të Universitetit Politeknik dhe ndërtimin e kompleksit të lojrave mbi sipërfaqe betoni në zemër të parkut të Liqenit”.
Të gjitha këto objekte mund të ndërtohen në zona alternative duke mos cënuar edhe më tej mushkëritë e dëmtuara të Tiranës, sipas Partisë Demokratike.
“Në kushtet kur janë marrë vendime që cënojnë rëndë zonat e ndjeshme mjedisore, pa kryer proces të mirëfilltë të ndikimit në mjedis, jo transparente, pa konsultim me qytetaret siç kërkohet nga ligjet ne fuqi, është e domosdoshme që qytetarët e Tiranës të shprehen per keto vendime”, shton njoftimi i PD-së.
Kërkesa u depozitua në KQZ nga Departamenti i Mjedisit dhe disa anëtarë të PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Partia Demokratike fton KQZ-në të miratojë sa më parë formularin që do mundësojë qytetarët të mbledhin firmat e nevojshme për shpalljen e referendumit.