PD: Karavastaja, po kthehet në lagunë përfitimi të kryetarit të Bashkisë dhe deputetit Braçe
Kryetari i Partisë Demokratike të Lushnjës, Myslim Murrizi, ka denonciuar sot ato që ai i quan abuzime dhe përfitime qindramilionëshe që bëhen me peshkimin në lagunën e Karavastasë, me një sipërmarrje të paligjshme dhe të paregjistruar, por e mbështetur nga kryetari i Bashkisë Kokoneshi dhe deputeti Braçe.
“Ka afro një vit, qysh nga muaj mars i vitit 2014 që laguna e Karavastasë me një sipërfaqe prej 4300 hektarë administrohet në mënyrë private dhe klandestine pa asnjë lloj dokumenti financiaro–ligjor nga kryebashkiaku i Divjakës Fredi Kokoneshi, me militante të Partisë Socialiste i përkrahur nga deputeti Erion Braçe. Bazuar kjo në një vendim qeverie Nr.238 dt/23.04.2014, vendim qesharak, abuziv, evaziv dhe haptasi për të vjedhur me ligj dhe pa lënë gjurmë. Kjo lagunë konform ligjeve në fuqi, ka qënë dhënë në përdorim nga Ministria e Mjedisit, Kompanisë IT SHPK deri në vitin 2017. Është pezulluar me urdhrin Nr.58 dt/25.02.2014 para se të dalë VKM”, shprehet Murrizi me anë të në deklarate për mediat.
Kjo firmë, thekson Murrizi, “ka pasur të punësuar me kontrate vjetore 32 punëtorë të përhershëm, dhe të deklaruar në bilancin financiaro-tatimor mbi 700 kuintal peshk të zënë në vit. Prodhimtaria e kësaj lagune në historikun 25 vjeçar rezulton mbi 1000 kuintalë për çdo vit ose e shprehur në lekë 500-800 milionë lekë në vit. Problemet civile midis kompanise IT shpk dhe Ministrisë së Bujqësisë janë problem që nuk na interesojnë ne si opozite dhe zgjidhja e tyre bëhet në rrugë gjyqësore konform ligjeve në fuqi”.
Deputeti i opozitës i ka bërë thirrje Prokurorisë së Lushnjës që “të fillojë hetimin për të zbardhur këtë aferë të pastër korruptive me mbi 500 milionë lekë të vjedhura, si abuzim i pastër me mbeshtetje politike, përpara se të arrestojë dhe të lërë në burg qytetarë hallexhinj si i ndjeri Qamil Zela, që kurrë nuk ia provuan fajësinë e deri sa e çuan në vetvrasje për fatura energjie”. /