Politika

PD, Paloka: Pezullimi i faturave të padrejta, kërkesë e qytetarëve dhe e opozitës‏

“Lajmërimi që bëri dje Edi Rama për anulimin e një pjese të vogël të faturave arbitrare të energjisë, ishte i sforcuar dhe nuk ka këtu asgjë për të bërë shpëtimtarin”.

Edi_Paloka7shkurtKështu deklaroi sot kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka ndërsa shtoi se trajtimi me shpejtësi i ankesave të qytetarëve për mbifaturim, për penalitete të padrejta ndaj tyre, ka qenë një nga kërkesat e përsëritura të opozitës dhe është produkt i protestës së qytetarëve shqiptarë, të udhëhequr nga PD-ja.

“Konkretisht, Partia Demokratike, me 2 dhjetor kërkoi publikisht; të mos ngrihet çmimi i energjisë elektrike; të bëhet e mundur pagesa me këste e borxheve të prapambetura; të falen kamatëvonesat e debitorëve të energjisë elektrike të akumuluara ndër vite si pasojë e abuzimeve me faturën e energjisë nga ana e shtetit; pezullimin e pagesës së faturave për të gjitha rastet për të cilat ka ankimim për mbifaturim; pezullimin e menjëhershëm të këtyre faturave dhe mos ndërprerjen e energjisë për qytetarët; ngritjen e një sistemi të verifikimit të shpejtë të qindra mijë ankesave të akumuluara. Këto kërkesa të qarta e të drejta erdhën nga protesta masive e 22 nëntorit”, tha Paloka.

Ai mohoi që kjo të jetë një zgjedhje e Edi Ramës. “Ai deri më tani ka zgjedhur të kundërtën e faljes, amnistisë, apo shqyrtimit të ankesave të qytetarëve. Edi Rama ka rritur çmimin e energjisë me 25 për qind për pjesën më të madhe të popullsisë. Me Edi Ramën janë shtuar faturimet abuzive. Ai nuk pranoi të falë kamatëvonesat. Ai solli errësirën dhe kërbaçin mbi njerëzit e pamundur, mbi ata që nuk kanë mundësi financiare se nuk kanë të ardhura, nuk kanë një vend pune. I fali apo ndau me kompaninë CEZ 600 milionë euro, detyrime të njohura nga pala çeke”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PD-së.

Paloka denoncoi edhe atë që e quajti aferë të shitjes së energjisë elektrike KESH-it dhe blerjen du herë më shtrenjtë nga OSHEE.

“Ia la në menaxhim pasurinë publike debitorëve e hajdutëve të pashembullt të energjisë.

Dhe në pikun e fatkeqësisë natyrore, kreu aferën e shitjes së energjisë nga KESH dhe blerjes së po kësaj energjie, dy herë me shtrenjtë nga OSHEE, vetëm që të përfitonin klani i tij bashkë me të, të paktën 4 milionë euro. Këto janë përvojat, punët konkrete të Edi Ramës me energjinë. Dje kryeministri thjesht bëri të ditur se ka vendosur të zbatojë një vendim të ERE, të marrë kohë më parë”, tha ai.

Kreu i grupit të PD-së theksoi se faturat abuzive janë më shumë se ato që janë deklaruar, ndaj ka kërkuar që kryeministri Rama ti kthejë mbrapsht ato që janë paguar. Sipas Palokës, qëndrimi i Ramës erdhi si pasojë e protestës së qytetarëve shqiptarë.

“Por problemi i faturave të padrejta, abuzive, problemi i mbifaturimit është shumë herë më i madh. Janë qindra mijë ankesat e qytetarëve. Për më tepër, janë dhjetëra mijë qytetarë që kanë paguar tashmë aforfetë dhe faturat abuzive e të padrejta. Edi Rama duhet ti ktheje pagesat mbrapsht, dhe qytetarët janë në të drejtën e tyre të kërkojnë paratë e tyre. Shqiptarët e kuptojnë se Edi Rama ka qenë i detyruar nga protesta e tyre, nga revolta e tyre ndaj padrejtësive e shtypjes qeveritare, për të ardhur tek lajmërimi që bëri dje”, tha Paloka.

Në përfundim ai bëri thirrje që të falen kamatëvonesat mbi faturimet abuzive dhe të ilet çmimi i energjisë, pasi në të kundërt PD-ja do të jetë në krye të protestës.

“Dhe qytetarët e vendit, nuk kanë për t’u ndalur derisa kauza e tyre e drejtë të shkojë në vend. Që do të thotë, falje të kamatëvonesave mbi faturimet abuzive. Shqyrtim i menjëhershëm i të gjithë ankesave të qytetarëve. Ulje e çmimit të energjisë me reduktimin e TVSH-së, me 14 për qind, siç pati premtuar vetë kryeministri. Partia Demokratike do të jetë në krye të protestës, derisa të bëhet drejtësi”, tha Edi Paloka.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button