PD: Pas statusit, Rama rinis fushatë të re spastrimesh në administratë
Deputeti Bylykbashi denoncon 70 largime të nëpunësve në administratën e Ministrisë së Mbrojtjes. Reagon ministria: Asnjë nëpunës me status nuk është larguar
Kur kanë kaluar vetëm katër ditë nga hyrja në fuqi e ligjit të ri për statusin e nëpunësit civil, Partia Demokratike u rikthehet akuzave ndaj mazhorancës për shkarkime të paligjshme të nëpunësve të administratës shtetërore. Këtë valë shkarkimesh, selia blu e argumenton me faktin se po ndërmerret menjëherë pas marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria për anëtarësimin në BE, pasi “ngriu” për tre muaj lëvizjet dhe emërimet në administratën publike. Dhe për këtë arsye, Partia Demokratike i kërkon Bashkimit Europian të dërgojë menjëherë një mision monitorimi për të parë nga afër krimin e qeverisë me administratën.
Akuzat e PD-së
Përmes deputetit të saj, Oerd Bylykbashi, PD-ja akuzoi se dje, Ministria e Mbrojtjes, ka paralajmëruar spastrimin e ri në administratën e saj, ku sipas Bylykbashit, 70 nëpunësve u është kërkuar dorëheqja e tyre ose të kalojnë në listë pritjeje. “Sot, Ministrja e Mbrojtjes ka paralajmëruar spastrimin e ri në administratë, i planifikuar nga dyshja Rama-Meta, pas marrjes së statusit të vendit kandidat. 70 nëpunës civilë janë thirrur sot në Ministrinë e Mbrojtjes, ku u është kërkuar të japin dorëheqjen ose të kalojnë në listë pritjeje. Fushata e re e spastrimit në administratë ishte denoncuar nga Partia Demokratike, e cila ka shprehur publikisht dyshimet e saj dhe këtë ua ka bërë të ditur edhe ndërkombëtarëve”, u shpreh deputeti demokrat. Duke vijuar më tej, Bylykbashi kërcënoi sërish me protesta masive në të gjithë vendin teksa i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, që të heqin dorë nga skenari për të zëvendësuar nëpunësit civilë në administratë me militantë. “Ne i kërkojmë sot qeverisë dhe dyshes Rama-Meta, të heqin dorë menjëherë nga ky plan i turpshëm i spastrimit të ri në administratë. Skenari i krijimit të vendeve për militantët e partisë dhe i largimit të profesionistëve të fundit që kanë mbetur, është i frikshëm për një vend që ka marrë statusin e kandidatit, dhe ky skenar do të përballet me protestën më të fortë qytetare”, theksoi Bylykbashi. Në përfundim të deklaratës së tij, nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve u shpreh se kjo situatë ka nevojë urgjente që të monitorohet nga BE-ja. “Partia Demokratike i kërkon Bashkimit Europian të dërgojë menjëherë një mision monitorimi për të parë nga afër krimin e qeverisë me administratën, me asetin më të çmuar publik në rrugën e integrimit europian”, u shpreh deputeti i PD-së.
Reagimi i ministrisë
Por, pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes hodhi poshtë akuzat e opozitës. Në një njoftim për mediat, ministria sqaroi se asnjë nëpunës me status nuk është larguar nga detyra. Në reagimin e saj, ministria theksoi se të vetmet lëvizje që po bëhen në ministri kanë lidhje me strukturën e re të Forcave të Armatosura të miratuara nga Presidenti i Republikës. “Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë deklaratat e opozitës, sipas të cilave nëpunës civilë po largohen nga administrata. Pas miratimit të strukturës së re të Forcave të Armatosura nga Presidenti i Republikës, ministri i Mbrojtjes ka nisur procedurat ligjore në bazë dhe në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës”, thuhet në deklaratën e djeshme të ministrisë. Duke vijuar më tej, ministria saktësoi gjithashtu, se të gjitha veprimet do të kryhen konform urdhrit të dalë nga ministri i Mbrojtjes, bazuar në dekretin e Presidentit të datës 17 qershor për miratimin e planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura. “Saktësojmë se të gjitha veprimet do të kryhen konform urdhrit të dalë nga ministri i Mbrojtjes, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Nr. 8892, dt. 17.06.2014 “Për miratimin e strukturës organizative të FA-së” dhe dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Nr. 8593, dt. 17.06.2014 “Për miratimin e planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, përfundon reagimin e saj për mediat zyra e shtypit pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Punësimet
Për qeverinë, ligji i ri për statusin e nëpunësit civil që ka hyrë në fuqi më 1 korrik, e bën pothuajse të pamundur procesin e ndërhyrjes për t’u punësuar në administratë
Shkarkimet
Partia Demokratike pretendon se që nga 15 shtatori 2013, kur erdhi qeveria e re në pushtet, janë shkarkuar mbi 7000 punonjës të administratës shtetërore
Herion Mesi