PD: Rama ka futur në Doganë e Tatime, përdhunues e falsifikatorë
Partia Demokratike ka vijuar edhe sot denoncimin e rekrutimit të personave me precedentë penalë në administratë nga qeveria Rama.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu zëdhënësja e kësaj partie, Orjela Nebiaj ka denoncuar 2 raste të 2 punonjësve të administratës në qytetin e Korçës, të cilët janë persona me precedentë penalë. Elton Basholli, sipas PD është person me precedentë penalë, i akuzuar për përdhunim, ndërsa sot punon si doganier. Ndërkohë, Relis Mulla i akuzuar për falsifikim dokumentesh është sot specialit IT në zyrat e shtetit.
Deklarata e plotë e PD
Çfarë mund të ndodhë me një të denoncuar për përdhunim, të shpallur në kërkim nga policia në prill të vitit 2010?
Me Edi Ramën dhe Ilir Metën, një person i tillë bëhet doganier.
Kjo ka ndodhur me Elton Bashollin në Korçë. Nëse bëni një kërkim në arkivë do t’iu dalin dhjetëra lajme për këtë ngjarje të rëndë, ku një e re nga ky qytet e ka denoncuar pas dhunimit seksual, dhe ndaj tij ka filluar procedimi.
Sot është doganier i Edi Ramës dhe Ilir Metës, gjë që e tregon edhe ai vetë në Facebookun e tij.
Po me një të arrestuar në Korcë, në korrik të vitit 2011, për falsifikim pasaportash, për paisje me këtë dokument të personave që kishin probleme me drejtësinë në vendet e BE-së, çfarë mund të ndodhë?
Me Edi Ramën dhe Ilir Metën, ai bëhet specialist i IT-së, në Drejtorinë e Tatimeve të Korcës.
Relis Mulla u arrestua dhe ndaj tij nisi procesi hetimor në korrik të vitit 2011, pasi kishte prodhuar dhjetëra pasaporta përmes falsifikimit të të dhënave, për persona me precedentë në Europë. Në atë kohë, Mullai punonte pranë kompanisë Aleat që prodhonte pasaportat.
Arkiva është e pasur me lajme për këtë ngjarje të rëndë.
Sot, falsifikatori i pasaportave është specialist i IT, në zyrën e Tatimeve, pikërisht ay ku janë të dhënat konfidenciale të qytetarëve dhe bizneseve.
Ky është modeli që kanë instaluar në administratën publike dhe në postet kyçe Edi Rama dhe Ilir Meta. Përdhunues e falsifikatorë në punët më të kërkuara. Aty ku i shërbejnë partisë.
Inkriminimi është skandaloz dhe tronditës. Eshtë e qartë se banditët, keqbërësit, llumi i punëve të zeza, janë kërkuar, kanë bërë kontratë me Edi Ramën dhe Ilir Metën. Dhe janë sot nëpër poste ku zhvasin e dhunojnë qytetarët e vendit.
Ndaj Edi Rama dhe Ilir Meta nuk e duan dekriminalizimin, ndaj i bëjnë rezistencë, e pengojnë atë.
Po këto raste, dhe qindra të tjera që Partia Demokratike ka denoncuar janë arsyeja madhore pse dekriminalizimi duhet bërë, pse vendi dhe qytetarët duhet të çlirohen një orë e më parë nga këta banditë të veshur me kollare e pushtet nga Edi Rama e Ilir Meta.