PD-Ristani: Mazhoranca presion ndaj prokurorisë për të fshehur të vërtetën
Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën se po ushtron presion ndaj prokurorisë për të fshehur të vërtetën e ngjarjes së denoncuar nga deputeti Tom Doshi.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, doli sot me një deklaratë për mediat, ku i shpreh se “Dërgimi i estradës tek porta e drejtësisë, është një bashkëpunim i ri i Edi Ramës dhe Ilir Metës, për të mbyllur hetimin dhe fshehur të vërtetën. Edi Rama dhe Ilir Meta koordinuan dje një sulm të ri ndaj Prokurorisë, në përpjekje për të mbyllur hetimin dhe fshehur të vërtetën. Ky presion ndaj drejtësisë për të mbyllur hetimin dhe fshehur të vërtetën, u vu në jetë fillimisht nga Edi Rama, i cili publikoi në Facebook një video të aktorit të Portokallisë që përqesh e bën pazar me jetën e deputetëve. Më tej u mor në dorë nga Ilir Meta, i cili e dërgoi aktorin e Portokallisë në dyert e prokurorisë, me anë të regjisorit të skemave të sigurimit të shtetit, Spartak Braho”.
“Largimi i Ilir Metës është imperativ për të pasur një hetim të paanshëm e të painfluencuar nga pushteti. Edi Rama duhet të heqë dorë menjëherë nga presionet ndaj Prokurorisë për fshehjen e të vërtetës tronditëse”, tha Ristani.