PD-Ristani: Ndihma në zonat e përmbytura të Vlorës, thirrje për solidaritet
-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, ishte sot pranë banorëve të fshatrave më të prekur nga përmbytjet në Vlorë, në Fitore e Bishan, ku u shpërndanë ndihma, si batonije, cizme, e ushqim për gjënë e gjallë.
Ndihmat janë kontribut i degëve të Partisë Demokratike për banorët e dëmtuar rëndë nga përmbytjet. Ristani u bëri thirrje qytetarëve të solidarizohen, të ndihmojnë me sa të mundin, teksa degët e Partisë Demokratike në gjithë vendin kanë nisur një fushatë të mbledhjes së ndihmave për të prekurit, për të lehtësuar fatkeqësinë që i ka mbërthyer prej 6 ditësh.
“Shumë prej banorëve ankohen për selektivitet në dhënien ndihmash. I ribëjmë thirrje kryeministrit të shpallë gjendjen e emergjencës civile pasi do të bënte të mundur ndjekjen e një protokolli ligjor për të vënë në punë të gjitha resurset shtetërore në ndihmë të banorëve dhe mobilizim të gjithashëm”, tha Ristani.