PD shpërndan ndihma për familjet e përmbytura në Vlorë
Partia Demokratike me ndihmën e disa subjekeve private ka ndihmuar familjet me 200 pako me ushqime. Shpërndarja është bërë sipas listës së përcaktuar nga vetë banorët e dëmtuar nga përmbytjet. Edhe sot do të shpërndahen 150 pako të tjera me ushqimet bazë.
“Përmbytjet në Qarkun e Vlorës kanë marrë përmasa dramatike. Mijëra hektarë tokë janë përmbytur dhe janë në mëshirë të fatit, bashkë me to 600 krerë lopë e qindra bagëti të tjera. 1500 familje të fshatrave Fitore, Bishan, Poro, Mifol, Novosele, Akroni, Bëllenje, Delisuf janë pa strehim, pa ushqim, pa ujë dhe pa ilace. Asnjë përfaqësues i shtetit nuk ka prekur nga afër situatën. Shkollat janë mbyllur e fëmijëve e të moshuarve nuk po i ofrohen kushtet minimale për jetesë”, thuhet në njoftimin për mediat.
PD pohon se në zonën më të prekur të qarkut të Vlorës, nuk funksionon asnjë shtab emergjence.
Partia Demokratike e Vlorës i bën thirrje qytetarëve dhe atyre që kanë mundësi të ndihmojnë, që të angazhohen në këtë situatë për t’iu gjendur afër të dëmtuarve, në kushtet e neglizhencës dhe mosekzistencës së strukturave të qeverisë.