PD, Spaho: Rama-Meta marrin në mbrojtje Kokëdhimën, internojnë deputetët armiq
Partia Demokratike akuzoi sot Kryeministrin Edi Rama dhe Kreun e Kuvendit Ilir Meta se kanë marrë në mbrojtje deputetin Koço Kokëdhima, duke mos lejuar shqyrtimin e kërkesës për heqjen e mandatit të tij. Në një deklaratë për mediat, deputeti Edmond Spaho tha se Rama dhe Meta kanë manifestuar standard të dyfishtë duke marrë në mbrojtje Kokëdhimën dhe duke internuar deputetët armiq të partisë.
“Edi Rama dhe Ilir Meta manifestuan sërish standard të dyfishtë për të njëjtën çështje, duke marrë në mbrojtje Koço Kokëdhimën, dhe duke internuar deputetët armiq të partisë.
Prej më shumë se 3 javësh, ka një kërkesë zyrtare në Kuvend për heqjen e mandatit të deputetit Kokëdhima, i cili është kapur duke shkelur Kushtetutën në 150 raste, pasi ka përfituar fonde publike përmes biznesit të tij privat. Edhe pas insistimit të Partisë Demokratike, që rasti i Kokëdhimës të trajtohej në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, sërish Edi Rama dhe Ilir Meta e kanë marrë në mbrojtje deputetin e tyre mik, dhe kanë vepruar me urgjencë ndaj deputetëve të padëshiruar tashmë prej tyre”, tha Spaho.