PD- Tabaku: Reformë e plotë e gjithëpërfshirëse në pushtetin vendor
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka shprehur shqetësimin se buxhetit i shtetit po i merr kompetencat pushtetit vendor, duke ndryshuar parime të caktuara edhe në akte ligjore me hierarki më të lartë si Kushtetuta duke i hequr qarkut cdo funksion që ka.
Deputeja e PD-së, Tabaku, nëpërmjet statusit të saj social Facebook mesditën e së hënës, i referohet qendrimit të opozitës në Komision e Ekonomisë ku ka shprehur shqetësimin se buxheti i shtetit po merrte kompetenca më shumë se i takonte, duke ndryshuar parime të caktuara dhe në akte ligjore me hierarki më të lartë si Kushtetuta.
“Buxheti i shtetit i heq qarkut cdo funksion që ia ka, përvec atyre që i kanë hequr me VKM dhe redukton në mënyrë drastike fondet për qarqet duke i lënë hapësirë vetëm për 3,4% të transfertës së pakushtëzuar për paga, duke i vendosur në udhëkryq e duke mos i lënë zgjidhje tjetër përvec pushimeve masive nga puna”, shprehet Tabaku.
Po ashtu, ajo pohon se “Gjatë diskutimit të reformës territoriale, Partia Demokratike bëri një ofertë për të mos vënë hartën në qendër të gjithckaje, por funksionet, përgjegjësitë, kompentecat. E mbasi të bihej dakort se cilat funksione do të delegoheshin nga niveli i parë në nivelin e dytë, mbasi të bihej dakort për rolin e Prefektit, të qarkut, të bashkive, të bihej dakort për një hartë të re si produkt i këtyre e jo harta si pararojë. Interesi elektoral për të marrë sa më shumë pushtet, si kudo, bëri që reforma elektorale të përfundonte në një hartë të pikturuar e në një lojë kungulleshkash mes aleatëve. Vetëm për të mos arritur konsensus me opozitën janë dakort të shkelin dhe Kushtetutën! Sot do të flisnim ndryshe, e sot do të diskutonim për një paketë të plotë ligjesh, e jo për një ligj të cungur si ai për veteqeverisjen vendore që kanë sjellë në Kuvend që ndjek pas reformën territoriale, kur duhej të ishte pararoja e reformës!”.
Tabaku thekson se “Një reformë e plotë, gjithëpërfshirëse, me ndryshime në të gjitha nivelet e qeverisjes, është e nevojshme”.