PD: Të hetohet edhe gruaja e Veliajt, përfaqësuese ligjore e Beketit
Partia Demokratike ka akuzuar sërish Ajola Xoxen, gruan e kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliajn.
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, në një deklaratë për mediet ka thënë se Xoxa rezulton se është përfaqësuese ligjore e Françesko Beketit, sipërmarrësit italian, pronar i televizionit ‘Agon Channel’, i cili kërkohet nga drejtësia shqiptare për shkak të ndërtimit të një skeme gjigante të pastrimit të parave.
“Si është e mundur që ligji nuk vepron ndaj bashkëshortes së Veliajt, e cila është e detyruar me ligj që të raportojë, – tha Boçi. – A ka ndonjë shpjegim që sa herë flitet për para të pista, del në skenë emri i Ajola Xoxes? Edhe se kohë do të vazhdojë Rama ta mbrojë Ajola Xoxen? Edhe sa skandale duhet të dalin në skenë që Erion Veliaj të flasë dhe të dalë para ligjit? Pjesë e hetimit ndaj sipërmarrësit italian, duhet të jetë edhe Ajola Xoxe si përfaqësuese ligjore e Beketit”, – u shpreh deputeti demokrat.