Politika

PD, Vokshi: Edi Rama, 120 milionë euro mikes së tij

Partia Demokratike, përmes deputetes Albana Vokshi ka akuzuar kryeministrin Rama se i ka dhënë 120 milionë euro konçesion mikes së tij.

“Konçesioni 120 milionë euro për Vilma Nushin është korrupsioni më skandaloz që ka ndodhur deri tani me Edi Ramën, edhe pse vjedhjet dhe abuzimet janë nga më masivet e më të larmishmet në çdo drejtim e në çdo fushë”, ka deklaruar Vokshi.

Sipas saj, Rama i dha Nushit 120 milionë euro, që popullsia nga 40 deri në 65 vjeç të bëjë një kontroll mjekësor.

“Por çfarë po ndodh në realitet me konçesionin e Vilmës? Edhe pse paratë për të dytin vit mikja e Edi Ramës i ka marrë paradhënie, kontrollin e kanë bërë vetëm rreth 10 për qind e qytetarëve të parashikuar. Kontrolli bëhet me infrastrukturën dhe pajisjet e qendrave shëndetësore, me stafin e qendrave shendetësore. Punën e bëjnë infermierët dhe stafi që paguhet nga shteti, nga taksat tona. Madje, infermierët e qendrave shëndetësore punojnë mesatarisht 3-4 orë në ditë për llogari të Vilmës. Pra, punë e bërë nga stafi i QSH pa asnjë bonus, pasi Vilma as këtë nuk e paguan”, ka thënë Vokshi.

Ajo ka nënvizuar se, deri më sot konçesionarja duhet të hapte 18 laboratore, ndërkohë që janë hapur vetëm 3, ndërsa 15 të tjerëve u është blerë vetëm emri pasi analizat e tyre sillen në Tiranë.

“E vetmja gjë që bën mikja e kryeministrit është se bën taksinë, në fakt merr kampionet me makinat që shpërndan duhanin, biznesin e saj primar. Pra, 120 milionë euro, Edi Rama ia ka dhënë mikes së tij, që makinat e saj pasi të kenë shpërndarë cigaret nëpër Shqipëri, në kthim të marrin kampionet e lëna disa orë në pritje, çka dëmton edhe garancinë e cilësinë e analizës që në shumë raste edhe ngatërrohen”, ka vijuar deputetja e PD.

Ajo ka theksuar se, ky është “një kaos skandaloz që jo vetëm nuk po i shërben qytetarëve, por po bëhet një rrezik i madh për shëndetin e tyre”.

“PD i kërkon mikes së Edi Ramës të tërhiqet nga ky abuzim e të kthejë paratë e shqiptarëve. Partia Demokratike do ta anullojë këtë vjedhje, këtë abuzim skandaloz me paratë dhe shëndetin e shqiptarëve. Më 8 dhjetor nis përballja pa kthim, për të ndalur këtë hajdutëri, këtë korrupsion të përbindshëm”, ka shtuar Vokshi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button