PDK thirrje LVV-së: Ejani ta votojmë ligjin para se të shpërndahet eventualisht Kuvendi
Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës kanë kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të kthehet në Kuvendin e Kosovës dhe ta miratojnë në lexim të dytë Projektligjin për Dhomat e Specializuara para shpërndarjes eventuale të Kuvendit, me rastin e dështimit të zgjedhjes së presidentit.
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se ligji duhet të miratohet pa kushte dhe nuk duhet të ndërlidhet me çështjen e presidentit.
“I bëjmë thirrje LVV-së që të vijnë në Kuvend dhe ta miratojnë në lexim të dytë ligjin për Dhomat e Specializuara. Kjo nuk është favor, është detyrë dhe obligim. Ne jemi në sallë dhe nuk do të largohemi… Nuk duhet UÇK-ja me kushte. Nuk mbrohet UÇK-ja me kushte. S’ka kushte, nuk pranojmë kushte”, tha ajo.
Miratimin e ligjit e kërkoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, i cili tha se i njëjti duhet të miratohet para se të shpërndahet Kuvendi.
“Është obligim dhe përgjegjësi kombëtare e secilës forcë politike që të vijë në Kuvend dhe në këto orë që kanë mbetur, para se të shpërndahet Kuvendi, eventualisht, nëse shpërndahet, ta miratojmë ligjin në lexim të dytë… Ata po tentojnë të bëjnë pazar. Ta votojë ligjin në lexim të parë, voto ma presidentin, ta votojë ligjin. Kjo është pazar dhe është e pandershme”, potencoi ai./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.