Haradinaj në protestë: Fatkeqësi e madhe mosvotimi i ligjit, po gëzohet Beogradi
Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, i është bashkuar protestuesve para objektit të Kuvendit të Kosovës.
Haradinaj ka kritikuar mosvotimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke thënë se një zhvillim i tillë, sipas tij, e gëzon Beogradin.
“Sot është dashur me qenë natë feste dhe jo proteste. Kështu e kanë mendu dhe është fatkeqësi e madhe me gëzu Beogradin”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka kritikuar edhe deputetët e Kuvendit, duke thënë se është e papranueshme që institucioni të mos e miratojë ligjin, për të cilin, sipas tij, është folur në emër të qytetarëve.
“Parlamenti jonë nuk voton, prej deputetëve që flasin në emër tonë. Si do qoftë, populli është ai që vendosë gjithmonë dhe duhet ta kryej detyrën e vet”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj iu bashkua protestës në një kohë kur situata para Kuvendit është tensionuar, ndërsa protestuesit po kërkojnë që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të miratohen edhe në lexim të dytë./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.