PEKIN – Kina: Shpresojmë për marrëdhënie më të mira pas takimit Xi-Biden
Kina shpreson të gjejë rrugën e duhur për përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në, gjatë takimit mes presidentit kinez, Xi Jinping dhe atij amerikan, Joe Biden të hënën në Indonezi.
“Është e rëndësishme që SHBA-ja të punojë së bashku me Kinën për të menaxhuar siç duhet dallimet, për të avancuar bashkëpunimin me përfitim reciprok, për të shmangur keqkuptimet dhe llogaritjet e gabuara dhe për të rikthyer marrëdhëniet Kinë-SHBA në rrugën e duhur të zhvillimit të shëndoshë dhe të qëndrueshëm”, deklaroi sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian.
“Zhvillimi i qëndrueshëm dhe i shëndoshë i marrëdhënieve Kinë-SHBA plotëson interesat e përbashkëta të dy vendeve dhe aspiratat e vendeve në të gjithë botën”, tha ai.
Takimi mes dy liderëve vjen pas një periudhe të përkeqësimit të marrëdhënieve. Kina e sheh veten si një fuqi në rritje, veçanërisht në rajonin e Paqësorit, dhe nuk e ka pritur mirë atë qe ajo e sheh si një përpjekje të SHBA-së për ta kufizuar atë ushtarakisht. Ajo pretendon kontrollin e Tajvanit, të cilin SHBA-ja e ka kundërshuar.
Mosmarrëveshjet janë përhapur edhe në politikën tregtare, ku SHBA-ja ka bllokuar eksportin e komponentëve të ndryshëm të teknologjisë së lartë në Kinë.
Kina nuk e ka dënuar Rusinë për pushtimin e saj të vazhdueshëm të Ukrainës, duke u justifikuar se shkel politikat e të drejtave të njeriut.
“Shpresojmë që SHBA-ja të bashkëpunojë me Kinën dhe të luajë rolin e saj të përgjegjshëm në ruajtjen e paqes dhe zhvillimit botëror”, tha zëdhënësi, ndersa shtoi se Kina do të vazhdonte të mbronte interesat e saj.
“Ne do të mbrojmë me vendosmëri të drejtat dhe interesat tona legjitime”, theksoi ai.