Peleshi pret delegacionin amerikan në Kuvend, në fokus partneriteti strategjik dhe integrimi në BE
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka pritur në një takim në Kuvend delegacionin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga kongresmeni Vern Buchanan, Kryetar i Komitetit për Partneritetin për Demokraci.
Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt. Diskutimet u përqendruan te forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe te bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
Takimi zhvillohet në një periudhë të rëndësishme për Shqipërinë, e cila vijon procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa vendi ka një rol aktiv në kuadër të NATO-s dhe sigurisë rajonale.
Një nga çështjet e diskutuara ishte edhe përshpejtimi i procesit të integrimit evropian, me theks te vijimi i reformave dhe forcimi i institucioneve demokratike.
Palët diskutuan gjithashtu për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe marrëdhënieve të biznesit mes dy vendeve, duke synuar krijimin e hapësirave të reja për investime dhe partneritete mes kompanive shqiptare dhe amerikane.
Në fokus ishte edhe bashkëpunimi ndërparlamentar, si dhe roli i Kuvendit në avancimin e reformave, rritjen e transparencës dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Gjatë takimit u nënvizua rëndësia e dialogut konstruktiv mes forcave politike dhe grupeve parlamentare për çështjet me interes për vendin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.