Projektligji për Byronë kalon me 81 vota, Rrustem Mustafa i vetmi nga PDK që mori pjesë në votim
Miratohet në shqyrtim të parë Projektligji për Byronë Shtetërore dhe verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin nr. 11/L-006 për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.
Projektligji mori mbështetje të plotë nga deputetët e pranishëm në votim, me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Nga radhët e PDK-së, në votim mori pjesë vetëm deputeti Rrustem Mustafa, ndërsa deputetët e tjerë të kësaj partie lëshuan sallën pak minuta para se të hidhej në votim, në shenjë kundërshtimi pasi su hodhet në votim mocioni për votim të Ligjit për Specialen edhe në lexim të dytë sot në orën 17:30.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha paraprakisht se “qytetarët e Republikës sonë janë duke na shikuar dhe duke e pritur me padurim” miratimin e këtij ligji.
Gërvalla tregoi shkurt se si do të funksionojë ky ligj.
“Byroja verifikon, mbledh dhe paraqet provat. Personi ka të drejtë të mbrohet dhe t’i kundërshtojë ato, ndërsa për konfiskimin vendos vetëm Gjykata”, tha ajo.
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, kërkoi që ky ligj “të mos jetë subjekt i fushatës zgjedhore” dhe “të mos jetë një instrument i cili synon, përçon porosi jashtë kornizës së sundimit të ligjit”. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.