Pema natyrale e Vitit të Ri mund të shkaktojë alergji, kollë dhe ftohje
Periudha e Vitit të Ri mund të jetë e rrezikshme! Gjithsesi, pa krijuar ndonjë alarm të madh, poshtë pemës tradicionale të festave të fundvitit (natyrale) mund të gjejmë jo vetëm dhurata, por edhe alergji të bezdisshme. Ky është rezultati i një studimi të kryer nga Universiteti i Mjekësisë “Upstate”, sipas të cilit zbukurimi klasik i bredhit mund të provokojë forma të ftohjes dhe të shfaqjes së kollës, një kombinim ky që shkakton gjendje gripale.
Në Krishtlindje rritet numri i të sëmurëve me probleme respiratore
Studiuesit amerikanë kanë evidentuar që gjatë festimeve të fundvitit regjistrohet një numër më i madh i problematikave me karakter respirator. Ata kanë analizuar 28 pjesë të pemëve të Krishtlindjeve, me hala dhe me lëvore. Zbulimi ishte sa befasues aq edhe i rëndësishëm në të njëjtën kohë: u gjendën 53 lloje të ndryshme myku, pjesa më e madhe e të cilave janë përgjegjëse për kruajtjen e hundës, lotëve, kollës, vështirësive në frymëmarrje, dhembjen në gjoks, ndjesinë e lodhjes dhe problemeve me gjumin. Simptomat përkeqësohen prej një ambienti të nxehtë, duke arritur deri në bronkit dhe poliomielit. Raporti i sporeve që përhapen jashtë me ato brenda është 1 me 9.
Kujdes edhe me pemën artificiale
Por problemet nuk janë të pakta as edhe nga pemët artificiale, përderisa ruajtja e tyre për një vit ose më shumë vjet, në një papafingo ose bodrum, shkakton një akumulim të madh pluhuri, që gjatë dekorimit të tyre përhapet në të gjithë shtëpinë duke provokuar alergji të llojeve të ndryshme. Ndaj cilat janë këshillat për të reduktuar në minimum ndikimin negativ që ato kanë mbi shëndetin tonë?
Është mirë që pemën, pak ditë para se ta fusni në shtëpi, ta pastroni me ujë të bollshëm, sepse kjo gjë do të kontribuonte në mbajtjen larg të baktereve. Ndërkohë, për të reduktuar rrezikun, mbajeni atë brenda shtëpisë jo më shumë se 12 ditë dhe, nëse mundeni, përdorni një pastrues ajri.
Edhe plastiket mund të shkaktojnë alergji
Probleme alergjike, përveç pluhurit dhe mykut, krijojnë edhe materialet plastike, me të cilat janë bërë pemët e imituara ose dekoracionet që mund të shkaktojnë ekzema dhe dermatit. Por edhe zbukurimet që vendosen në to mund të provokojnë manifestime alergjike nëse preken shpeshherë. Kujdes duhet të tregoni edhe ndaj yjeve tradicionale të Krishtlindjeve, pasi edhe ato përmbajnë të njëjtën substancë irrituese.