Pensionet private, operojnë tre kompani; tregu është sërish modest
Përveç pensionit shtetëror një individ mund të ketë edhe një pension shtesë privat, nëse gjatë kohës që është në punë do të derdhë kontribute vullnetarisht në një fond privat.
Aktualisht, në Shqipëri ekzistojnë tre fonde private pensionesh, por edhe pse ky treg është rritur me ritme dyshifrore vitet e fundit, ai sërish mbetet modest, krahasuar me vendet e tjera në rajon dhe Bashkimin Europian. Për drejtoreshën ekzekutive të AMF, arsyet janë disa.
“Kryesore janë kostot. Domethënë të paguajë punëdhënësi një kontribut për llogari të fondit privat të pensionit, nënkupton se do të shpenzojnë më tepër. E dyta, disa prej tyre mendojnë se nuk sjell përfitim për ndërmarrjen. Nga ana tjetër edhe vetë punonjësit, ose nga mosnjohja, por një pjesë e tyre nuk shpreheshin shumë entuziast. Dhe ndoshta preferojnë format e tjera të shpërblimit që mund t’ia ketë ofruar punëdhënësi”, thotë Enkeleda Shehi, drejtoreshë ekzekutive e AMF.
AMF i ka nxjerrë këto përfundime nga një studim i përbashkët me Institutin e Statistikave. Sipas vrojtimit të kryer në mbi 500 biznese të mëdha, veç kostove apo mosnjohjes ka dhe një tjetër arsye se pse individët dhe kompanitë ngurrojnë t’i drejtohen fondeve private të pensionit.
“Le të themi një besim i pamjaftueshëm që kishin kundrejt sistemit të administrimit të pensioneve private në përgjithësi dhe duke futur mosnjohjen të shoqërive që ekzistojnë për administrimin e tyre, apo autoritetit rregullator, siç jemi ne”, thotë Shehi.
Për të nxitur interesin e pensioneve private, qeveria ka vendosur t’i njohë si shpenzimet të zbritshme nga taksat, kontributet që kompanitë dhe individët derdhin në pensionet private deri në një kufi të caktuar. Por pse autoritetet kërkojnë ta zgjerojnë këtë treg?
“Vendi jonë ka një sistem dykolonësh, që pjesën kryesore e përbën skema e parë, që është sigurimi i detyrueshëm shtetëror dhe pjesa tjetër është kolona e tretë, që administrohet në mënyrë private, po ne jemi autoriteti që e mbikqyr. Të jetë ky komponent është goxha i rëndësishëm, sepse plotëson të ardhurat e skemës së parë. Personat në këtë komponent të pensioneve kanë edhe një nxitje shumë të rëndësishme që janë lehtësirat tatimore”, thotë drejtoresha e AMF-së.
Sipas vrojtimit, aktualisht kompanitë që investojnë më shumë në fondet e pensioneve private janë ato me kapital të huaj, të cilat kanë një njohur më të mirë për këtë treg.