Bota

Pentagoni: SHBA, Kina të angazhuara në përpjekje për rivendosjen e dialogut ushtarak

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë të angazhuara në përpjekje për bisedime ushtarake mes dy vendeve, tha Pentagoni të martën, megjithëse nuk dha ndonjë njoftim se kur do të bëhen këto bisedime.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping ranë dakord muajin e kaluar në një takim të nivelit të lartë në Kaliforni për të rifilluar kontakte të tilla, të cilat u ndërprenë pasi ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin e vetëqeverisur në gusht 2022. Kina pretendon sovranitetin mbi Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike.

“Kemi punuar nga afër me zyrën e atasheut tonë të mbrojtjes dhe ekipi ynë politik ka qenë në koordinim aktiv me Pekinin për të vendosur komunikimin,” tha në një konferencë shtypi zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral major Patrick Ryder.

“Megjithatë nuk kemi gjë për të njoftuar konkretisht për momentin,” tha ai.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan tha të martën se besonte se përparimi në komunikimin ushtarak mes dy vendeve ishte në rrugën e duhur që kur u mbajt takimi Biden-Xi vetëm disa javë më parë.

“Unë në fakt nuk mendoj se është i vonuar. Mendoj se kemi të bëjmë me zbatimin normal të një rezultati të takimit të nivelit të lartë dhe po vazhdon siç e prisnin të dyja palët, kështu që nuk shoh asnjë problem në këtë drejtim,” tha zoti Sullivan.

“Ne besojmë se pyetja e vërtetë nuk është: ‘A do të fillojë (ky komunikim)? Ne jemi të sigurt që do të fillojë. Pyetja e vërtetë është: A mund të jetë i qendrueshëm dhe t’i bëjnë ballë luhatjeve të mundshme në të ardhmen,” shtoi zoti Sullivan.

Administrata e Presidentit Biden ka thënë se dëshiron komunikim në të gjitha nivelet e ushtrive të dy vendeve, përfshirë mes udhëheqësve të lartë dhe komandantëve për zona të veçanta gjeografike.

Marrëdhëniet midis dy vendeve u acaruan pasi zoti Biden urdhëroi rrëzimin në shkurt të një ballone të dyshuar përgjimi kineze mbi hapësirën e Shteteve të Bashkuara.

Por që atëherë zyrtarë të lartë të administratës së zotit Biden kanë vizituar Pekinin dhe janë takuar me homologët e tyre për të ripërtërirë komunikimin dhe besimin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button