Për Kosovën s’ka liberalizim të vizave pa demarkacionin me Malin e Zi
Raporti i raportueses speciale për liberalizim të vizave për Kosovën, Tanja Fajon, u miratua nga Komiteti LIBE, por kundërshtohet procesi i mëtejmë i liberalizmit të vizave.
Komiteti LIBE, votoi pro raportit të Tanja Fajon, mirëpo votoi kundër fillimit të negociatave të Parlamentit Evropian me Këshillin e Bashkimit Evropian për vendimin formal për liberalizimin e vizave për Kosovën në seancë plenare.
Vet raportuesja Tanja Fajon pas takimit shprehu siҁ tha “kënaqësinë që e ka marrë një votë më shumë për raportin e saj në komitetin LIBE”, por tha se tani varet nga Kosova, se kur do t’i përmbushë kriteret e mbetura për t’i hapur mundësinë asaj që ta procedojë raportin për votim në seancën plenare të Parlamentit Evropian. “Gjatë diskutimeve në seancë u kërkua që për Kosovën të shtyhet votimi, meqënëse Kosova nuk ka përmbushur kriteret e paraqitura nga Komisioni Evropian. Kjo kërkesë u cilësua si e pamundshme nga kryesuesi i seancës, sepse do të komplikonte procedurat e seancës, por u tha se pa marrë parasysh vendimin, në rast se ai do të jetë pro liberalizimit të vizave nga shtetet anëtare, ai nuk do të hyjë në fuqi derisa të gjitha kriteret të konsiderohen të përmbushura”, citojnë mediat lokale në Prishtinë raportuesen Tanja Fajon.
Njëri nga kushtet e fundit kryesore të Komisionit Evropian për Kosovën që t’ia mundësojë liberalizimin e vizave, është ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Më një shtator në kuvendin e Kosovës dështoi të futet në votim ratifikimi i ligjit për demarkacionin, pasi qeveria e tërhoqi atë, për arsye, se grupi parlamentar i serbëve “Serpska” nuk mori pjesë në seancë. 10 deputetët serbë të listës “Serpska” janë pjesë e koalicionit qeveritar dhe që të ratifikohet ligji i demarkacionit nevojiten edhe votat pro të deputetëve serb.