Ekspozita

Përballja me historinë e Fetnete Ramosajt

“Terrori dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë”, historia e masakrave në 200 fotografi dhe dokumente, vjen në një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar

Fetnete Ramosaj, ish-luftëtare e UÇK-së, dhe një grua e angazhuar për të drejtat e njeriut në Kosovën e pasluftës, na ofron një tjetër përballje me të shkuarën. Rreth 200 fotografi të seleksionuara nga kërkimet e saj ndër vite, na përballin me një të vërtetë të hidhur të krimeve serbe në Kosovë. Imazhe të fokusuara nga aparati fotografik në momente fatale, të cilat përbëjnë jo vetëm një moment të thellë reflektimi mbi të shkuarën, por dhe hedhin dritë mbi një nga territoret më të egra në Ballkan. “Terrori serb ishte i planifikuar”. Kështu do të shprehej Fetnete Ramosaj, gjatë hapjes së ekspozitës “Terrori dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë”, dy ditë më parë në Muzeun Historik Kombëtar. Në emër të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë Prof. Dr. Ismet Salihu gjatë fjalës hapëse tha se, këto fotografi tregojnë një segment të pushtetit serb që ka kryer ndaj popullatës së pafajshme shqiptare. Sipas tij, zbardhja e rasteve dhe vënia para drejtësisë e krimeve makabër do të ishte sadisfaksion për familjarët, ndërsa shteti duhet të veprojë sipas ligjeve në fuqi dhe konventave ndërkombëtare. Lufta e fundit në Kosovë, e cila u zhvillua mes viteve 1998-1999, mori shumë jetë të pafajshme njerëzish. Mijëra shqiptarë të kësaj treve mbetën të vrarë dhe të masakruar nga trupat paramilitare, por dhe ato të rregullta të ushtrisë serbe. Ndërsa mendohet që mbi një mijë të tjerë të vazhdojnë të cilësohen si të zhdukur, pasi ende nuk dihet se ku mund t’u gjenden eshtrat. Pavarësia ishte epilogu i të gjithë kësaj historie përplasjesh, e cila kishte filluar qysh nga koha kur Kosova iu aneksua shtetit shqiptar të sapoformuar për t’iu bashkangjitur një shteti me një etni krejt të ndryshme siç është Serbia. Liria u fitua gati 90 vite më pas, por me një kosto të lartë.
“200 fotografitë dhe faksimile dokumentesh që janë ekspozuar në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, na e sjellin këtë realitet makabër, krejt të prekshëm. Nuk ka nevojë për komente. Mjafton të shikosh këto imazhe për të kuptuar se si policia dhe militarët serbë, të mbështetur nga prapavija politike e spastrimit etnik të Millosheviçit, kanë masakruar popullsinë e pambrojtur shqiptare, jo vetëm burrat, por dhe gratë e fëmijët. Ndërsa mesazhi kryesor që të vjen në mend kur ndeshesh me këto pamje rrëqethëse padyshim është: të luftohet harresa”, shprehet drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z. Melsi Labi. Sipas Ramosaj në këtë ekspozitë janë të pasqyruara krimet, të cilat janë bërë mbi shqiptarët, si masakra mbi familjen Jashari, ajo e Prekazit, maskara e bërë në Burgun e Dubravës e shumë masakra të tjera. Diplomati Syl Ukshini, do të shprehej se: “Krimet e ndodhura në Kosovë në vitin 1998-’99 ishin krime që nuk ishin parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe këto krime prandaj patën jehonë në të gjithë botën. Këto krime bënë që dhe NATO të ndërhynte në Kosovë. Ndaj kjo ekspozitë është për të dëshmuar krimet dhe ballafaqimin e krimit në Ballkan me krimin e së kaluarës”.  Ekspozita “Terrori Dhe Gjenocidi i Serbisë në Kosovë”, e autores Fetnete Ramosaj, ka mundur të dalë në dritë pas një pune shumë të madhe kërkimore, ku për grumbullimin e materialeve që kanë të bëjnë me krimet e luftës, asaj i janë dashur 16 vite. Sipas Ramosajt, mesazhi kryesor i kësaj ekspozite është të mos harrohet e shkuara.. Në muajin dhjetor kjo ekspozitë u çel në Kosovë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe ka zgjuar një interes të madh te publiku për faktet dhe argumentet e prezantuara. Në MHK për publikun do qëndrojë deri më datë 18 prill.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button