Përfundimet e Këshillit Evropian për zgjerimin e BE, ministri Hoxha: Një shans historik për Shqipërinë
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha përmes një postimi në “X” ka reaguar lidhur me përfundimet e Këshillit Evropian mbi zgjerimin dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian.
Hoxha shkruan se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të vazhduar reformat dhe për të përmbushur të gjitha angazhimet dhe detyrimet që rrjedhin nga procesi i negociatave. Ai shtoi se progresi i vendit tonë do të matet dhe vlerësohet në bazë të punës, performancës dhe rezultateve.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mirëpret përfundimet e Këshillit Evropian mbi zgjerimin dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian. Ne e vlerësojmë riafirmimin e qartë se zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës.
Ky është një mesazh i rëndësishëm në një kohë kur Bashkimi Evropian duhet të forcojë më tej unitetin e tij, aftësinë e tij për të vepruar dhe sovranitetin evropian. Ne gjithashtu mirëpresim riafirmimin e parimit meritë, sipas të cilit çdo vend kandidat përparon në procesin e pranimit në bazë të progresit të vet.
Shqipëria ka qenë dhe mbetet plotësisht e përkushtuar për të vazhduar reformat me vendosmëri, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, dhe për të përmbushur të gjitha angazhimet dhe detyrimet që rrjedhin nga procesi i negociatave. Progresi ynë do të matet dhe vlerësohet në bazë të punës, performancës dhe rezultateve tona.
Në thelb, përfundimet e Këshillit Evropian forcojnë më tej bindjen se zgjerimi është sot në zemër të axhendës strategjike evropiane dhe se perspektiva e pranimeve të reja po bëhet gjithnjë e më konkrete. Për Shqipërinë, si një nga vendet në ballë të këtij procesi, përgjigjja duhet të jetë e qartë: të vazhdojë, pa humbur kohë, me vendosmëri dhe përgjegjësi, reformat dhe negociatat, përmes të cilave do të arrijë gatishmëri të plotë për anëtarësim.
Ky është një shans historik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk kemi qenë kurrë më afër realizimit të aspiratës sonë më të madhe dhe më të qëndrueshme kombëtare, kërkesës së kahershme të të rinjve dhe të të gjithë shoqërisë shqiptare: Shqipëria në Evropë.
Por anëtarësimi nuk jepet. Ai fitohet vetëm përmes punës, reformave, rezultateve, përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Rruga deri në këtë pikë ka kërkuar shumë energji, përpjekje dhe sakrificë. Shqipëria ka treguar se ka si energjitë, ashtu edhe aftësitë, ashtu edhe përkushtimin. Pikërisht sepse kemi pritur kaq gjatë dhe sepse e dimë se, në histori, mundësi të tilla nuk mbeten të hapura përgjithmonë, nuk mund ta lejojmë veten ta humbasim këtë moment.
Dora e shtrirë e BE-së duhet të kapet fort, duke ecur krah për krah deri në anëtarësim. Duke nxjerrë mësime nga e kaluara, nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që ky kapitull transformues i historisë sonë moderne, më i rëndësishmi për të tashmen dhe të ardhmen tonë, të bëhet historia e një shansi tjetër të humbur.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.