Kryeartikull

Përgjigja më e mirë është legalizimi i ardhjeve

Rreth 25.000 njerëz janë mbytur në 10 vitet e fundit në përpjekje për të mbërritur në Evropë në detin Mesdhe. Skandali është pra i vazhdueshëm. Por këtë fundjavë edhe një herë u dëshmua para syve tanë, në mënyrën më drastike, se politika e deritanishme e BE-së për refugjatët ka dështuar dhe ka shkaktuar rrethana jonjerëzore. Thirrjet për ndryshime në BE sërish janë me zë të lartë. Shpejt politikanët dhe aktivistët e zhgënjyer e fajësojnë BE-në. Por kjo nuk është edhe kaq e thjeshtë.

Pse fajin nuk e mban edhe Unioni Afrikan? A thua nuk janë fajtore edhe vendet e Afrikës, Lindjes së Mesme, apo vendet prej nga vijnë refugjatët dhe migrantët? Ku janë apelet insistuese të drejtuesve afrikanë kundër kontrabandistëve, në mënyrë që njerëzit të mos nisen fare drejt Mesdheut? Çfarë po bën Libia? Asgjë.

Afrika është përgjegjësi ashtu si edhe BE

Për shpëtime në rastet emergjente nuk është përgjegjëse vetëm Italia apo BE dhe Frontexi. Anijet mbushen para syve të vendeve afrikane, ndaj edhe ato duhet të reagojnë. BE-ja ka bërë disa përpjekje që problemi të zgjidhet në vendet prej nga vijnë refugjatët. Por deri tani pa sukses.

Pas katastrofave të fundit duhet vepruar. Kërkohet vullnet politik dhe masa të pazakonshme që pas dekadash të tëra ky problem të zgjidhet. Çështja pas katasfrofës së fundit nuk duhet të mbetet vetëm tek një seri takimesh të krizave. Me forcimin e masave për shpëtim në gjendje emergjente nuk është bërë asgjë. Megjithë pohimet e ndryshme: edhe gjatë operacionit “Mare Nostrum” janë mbytur në deti me mijëra refugjatë. Italia vet ka dalë nga ky operacion – jo për shkaqe kostosh, por për shkak se ministri i Brendshëm nuk ishte i gatshëm që refugjatët e shpëtuar t’i sjellë në Itali.

Bllokada e detit dhe tragetet legale

Bernd Riegert
Bernd Rieger

 

Në shtigje afatshkurtëra, duhet futur një bllokadë në bregdetin e Libisë, për të pamundësuar punën e bandave kontrabanduese, të cilat përfitojnë shumë nga ky biznes. Nëse është e domosdoshme, atje duhet të shkojnë edhe njësitë evropiane të marinës, për t’i evituar anijet me refugjatë. Kjo nuk e zgjidh problemin e migracionit, por një bllokadë do të shpëtonte përkohësisht të paktën jetën e njerëzve. Pse migrantët duhet të futen në anije të vogla dhe të futen në ujërat e thella, për t’u shpëtuar ndoshta më vonë atje nga anijet e mëdha evropiane?

Kontrabandistët do të mbeteshin pa punë sikur BE-ja çdo ditë të organizonte një traget me 1000 migrantë nga Afrika dhe t’i sillte ata në Itali apo në Spanjë. Pa pagesë dhe legalisht. Kjo do të thotë se në vit do të kishte 365.000 migrantë – jo më shumë se sa ka tani, kur vijnë me anije.

A do Evropa më shumë njerëz?

Shtrohet natyrisht pyetja, çfarë ndodh me migrantët që vijnë në Evropë? Në shtigje afatmesme, ata duhet të shpërndahen prej vendeve jugore në vendet e tjera të BE. Italia pohon se ajo ka tepër refugjatë. Greqia dhe Malta janë të stërngarkuara. Spanja aktualisht nuk po ankohet. Pikërisht tek një rregull për shpërndarjen, që do të zëvendësonte rregullat e tanishme, Dublin-III, qendron problemi kryesor politik: shumë vende të BE nuk janë të gatshme të pranojnë një numër të madh të refugjatëve. Kjo duhet të ndryshojë. Ngarkesat më të mëdha aktualisht janë tek disa vende, ndër to edhe Gjermania. Ndonëse Gjermania ende është shumë larg nga mbingarkesa.

Njerëzit në Evropë duhet të vendosin nëse në vit do të pranojnë 2-5 milionë azilkërkues, refugjatë apo emigrantë ekonomikë. Krerët e BE duhet ta trajtojnë këtë dhe të gjejnë një zgjidhje. Nëse arrihet marrëveshje, do të hapej më në fund rruga legale për migrime.

Kërkesat për azil dhe migrantë në shtigje afatmesme duhet të zgjidhen në ambasadat e BE në vendet prej nga vijnë ata. Kjo është në kundërshtim me praktikën e tanishme, por do të ndalonte valët e rrezikshe për jetë të migrantëve nga brigjet e Afrikës. Krijimi i qendrave për pranim në Afrikë do të ishte një hap i ndërmjetëm për të evituar rrezikun e njerzëve të ikur nga Siria, Eritrea apo Libia, ku kontrabanduesit fitojnë me miliarda dollarë. E rrezikshme nuk është vetëm rruga përmes Mesdheut.

Ka dhe shumë sfida të tjera që duhen zgjidhur, por kështu siç është tani, nuk mund të mbetet.

Bllokim do të ishte i gabuar

Nëse evropianët në shtigje afatgjata nuk janë të gatshëm për më shumë migrantë dhe për integrimin e tyre në shoqëri, këtë duhet ta thonë qartë. Atëherë duhet të mbyllen vërtetë në mënyrë konseguente kufijtë dhe migrantët të humbin çdo shpresë se mund të futen dhe të jetojnë në Evropë. Në shtigje afatgjata, numri i refugjatgëve me siguri që do të zvogëlohej. Por kjo do të ishte thellësisht jonjerëzore, ndërsa migrantët me siguri do të kërkonin ndonjë vend dhe rrugë të tjera për shpëtim. Mbyllja e plotë e Evropës është rrugë e gabuar. Vetëm ardhja legale e njerëzve, pa kontrabandistë kriminelë, mund të jetë përgjigja e duhur. Dhe nuk duhet që kjo të zgjasë edhe dhjetë vjet dhe të ketë edhe mijëra të vdekur të tjerë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button