Te ndryshme

Rruga e duhur drejt universiteteve elitare: arsimi nga shtëpia

Në luftën e studentëve për t’u pranuar në universitetet më të mira të botës, studimet tregojnë se ata që janë arsimuar në shtëpi preferohen më tepër nga zyrat e pranimit

Claire Dickson, 18 vjeçe, po hyn në Kolegjin e Harvardit këtë vjeshtë. Por çfarë e futi atë në shkollën më të famshme në botë, ku norma e pranimit është 5.3 për qind? “Mësimi nga shtëpia”, tregon ajo.

Dickson është një nga 2.2 milionë amerikanët që mësojnë nga shtëpia. Dhe ky është një trend në rritje. Sipas Qendrës Amerikane për Statistikat e Edukimit, popullata u rrit me 61.8 për qind nga viti 2003 në vitin 2012.

Ndërsa shumë studentë që e ndjekin mësimin nga shtëpia janë ende një përqindje e vogël e studentëve amerikanë në përgjithësi (përbëjnë vetëm 3.4 për qind të tyre), kërkimet tregojnë se ky lloj edukimi po merr zhvillim.

Megjithatë, mësimi nga shtëpia është vetëm gjysma e ekuacionit. Në zemër të tij është përfshirja e komunitetit përreth në rritjen e fëmijëve, aty ku dallon më së miri niveli i arsimit.

Larg nga testet standarde dhe programet rigoroze në arsimimin publik, këta fëmijë kanë dorë të lirë krijimtarie, mësojnë më shumë për jetën që ndodh përreth tyre dhe kur është koha e përshtatshme pranohen në disa nga kolegjet më të mira në botë.

“Niveli i lartë i arritjeve njihet shumë nga rekrutuesit e disa prej kolegjeve më të mira”, tregon ekspertja e fushës, Susan Berry. “Shkolla si Instituti i Teknologjisë në Masaçuset, Harvardi, Stanfordi dhe Universiteti Duke, të gjithë po rekrutojnë të përgatiturit nga shtëpia”, thotë Berry.

Megjithatë, nuk sjell përparësi përshkrimi se je mësuar në shtëpi në një aplikim të tillë për kolegj.

Vlera e vërtetë gjendet në lirinë që i shton mësimi nga shtëpia studentëve, të cilët mund të bëjnë më shumë gjëra me kohën e tyre.

Përgjatë rritjes, Claire Dickson dhe motrat e saj kalonin nga një shtëpi në tjetrën në Kembrixh, duke mësuar matematikë nga një prind dhe një mësim teatri nga një tjetër. Nëna e tyre, Milva McDonald, u mësonte atyre shkrim krijues. Ato bënë gjithashtu mësime në Shkollën e Zgjeruar të Harvardit dhe në Kolegjin e Komunitetit Bunker Hill.

Ndryshe nga besimi i përgjithshëm, ata që mësojnë nga shtëpia nuk janë të mbyllur në vetvete. Kërkimet tregojnë se fëmijët e mësuar nga shtëpia, në fakt krijojnë lidhje më të afërta me komunitetin e tyre, lidhen me njerëzit jashtë nivelit të tyre arsimor. Ata mësojnë të bëhen pjesëmarrës më aktivë në lagje dhe kuptojnë nga afër etikën e jetës si një i rritur.

Prindërit e lehtësojnë intimitetin e tyre me botën reale në një mënyrë që arsimi publik rrallë ia del. Në librin e tij të ri “Shkollat kreative: Revolucioni që po transformon arsimin”, Ken Robinson argumenton se prindërit për nga natyra duan një marrëdhënie me shkollën që të bashkëpunojnë me arsimin e fëmijëve të tyre. Arsimi nga shtëpia duket se është forma më e pastër e kësaj marrëdhënieje, prindi bëhet shkolla.

Dhe mësimi është i personalizuar. Nëse vajzat e Milva McDonald nuk pëlqejnë një lëndë, ato kalojnë në diçka tjetër.

“Doja që ata të ishin në krye të arsimimit të tyre dhe të vendosnin se çfarë u interesonte dhe të mos kishin dikë tjetër që t’u thoshte çfarë të bënin dhe se çfarë kanë talent të bëjnë”, thotë ajo.

Parimet e këtij lloj mësimi nga shtëpia, janë ato që e bëjnë të suksesshëm, jo domosdoshmërish faktin që një fëmijë mëson i mbyllur në shtëpi.

Universitetet elitare duan studentë që dallohen jashtë klase dhe tregojnë mjeshtëri në shkenca, matematikë dhe histori. Ndërsa aplikimet e tyre janë në fakt një sfidë për procesin e pranimit në shkolla, kërkimet tregojnë se fëmijët kanë 10 herë më tepër gjasa të përmirësojnë aftësitë në matematikë dhe lexim, kur prindërit janë pjesë e edukimit.

Ata që mësojnë nga shtëpia në veçanti, janë pjesë e 86 përqindëshit të studentëve që i kalojnë lehtësisht testet standarde. Kështu pra, kur fëmijët kanë mundësinë të eksplorojnë vetë botën, pa pasur dikë që t’i tregojë se çfarë mund ose jo të bëjnë, ata ia dalin më mirë me arsimimin dhe në fund pranohen në një kolegj elitar.

*Burimi: Tech Insider

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button