Përparim Rama: Ferdonije Qerkezi nuk po proteston për veten
Kryetari i Prishtinës thotë se pjesëmarrja e Nënë Ferdonijes në protestën kundër vendimit të Gjykatës Speciale është akt moral që vendos të gjithë përballë përgjegjësisë — "historia e saj është ndërgjegjja jonë kolektive".
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se pjesëmarrja e Ferdonije Qerkezit në protestë kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale është akt moral që vendos të gjithë përballë përgjegjësisë, siç njofton Klan Kosova.
Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se Ferdonije Qerkezi nuk proteston për veten, dhe se historia e saj është “ndërgjegjja jonë kolektive”.
“Në një ditë të vetme, forcat serbe ia vranë burrin dhe katër djemtë. Djalin më të vogël e kishte vetëm 14 vjeç. E lanë vetëm. Ia shuan pragun e derës, por nuk arritën t’ia shuajnë zërin”, shkroi Rama në postimin e tij.
Sipas Ramës, kur Ferdonije Qerkezi gjen forcën të dalë në rrugë kundër padrejtësisë pas gjithë asaj tragjedie, “kjo nuk është vetëm protestë. Është akt politik dhe moral që na vendos të gjithëve përballë përgjegjësisë sonë. Ferdonije Qerkezi nuk po proteston për veten. Në këmbët e saj qëndron një histori e tërë. Në heshtjen e saj janë mijëra zëra. Në qëndresën e saj është Kosova që nuk pranon të harrojë”.
Rama e mbylli postimin me mesazhin: “NJË SHTET QË E NJEH ÇMIMIN E LIRISË, NUK GUXON TA RELATIVIZOJË KURRË PADREJTËSINË”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.