Përplasje e armatosur në Pire, si u plagos shqiptari “Titi” gjatë operacionit të policisë greke
Policia greke ka dhënë detaje të reja lidhur me arrestimin e Alesio Xhelos, i njohur me pseudonimin “Titi”, i cili u përfshi në një përplasje të armatosur me efektivët helenë gjatë një operacioni në zonën e Mikrolimanos në Pire dhe mbeti i plagosur gjatë ndërhyrjes.
Protothema.gr shkruan se ngjarja ka ndodhur në orët e mëngjesit të 23 majit 2026, kur oficerë të Departamentit për Ndjekjen e Krimeve me Zhvatje të Drejtorisë së Krimit të Organizuar po kryenin kontrolle në biznese të ndryshme të zonës. Në këtë kontekst, ata kanë pikasur një person që u është dukur i dyshimtë dhe kanë vendosur ta kontrollojnë. Sapo është afruar patrulla, personi në fjalë ka tentuar fillimisht të largohet, duke mos iu bindur urdhrit për ndalim.
Policia greke bën me dije se efektivët janë identifikuar dhe i kanë bërë thirrje të ndalonte, por ai ka reaguar duke nxjerrë një armë zjarri dhe duke e drejtuar ndaj një prej oficerëve, me qëllimin e dukshëm për të qëlluar. Në atë moment, një tjetër efektiv, duke vlerësuar rrezikun e menjëhershëm për jetën e kolegut të tij, ka përdorur armën e shërbimit, duke qëlluar dhe neutralizuar personin, i cili është plagosur dhe është vënë nën kontroll.
Menjëherë pas ngjarjes, në vend është thirrur shërbimi i urgjencës mjekësore, i cili ka transportuar të plagosurin në spital për trajtim, ndërsa për rastin është njoftuar edhe prokurori kompetent. Policia thekson se ndërhyrja është kryer në kushte rreziku të drejtpërdrejtë, për shkak të përdorimit të armës nga i dyshuari.
Gjatë kontrollit në vendngjarje dhe hetimeve të mëvonshme, autoritetet kanë sekuestruar dy pistoleta të mbushura dhe gati për përdorim, si dhe një revolver tjetër. Një nga pistoletat, sipas policisë, ishte me një fishek në dhomë dhe një karikator me 32 fishekë, çka e rrit nivelin e rrezikshmërisë së situatës gjatë përplasjes.
Në një pikë të afërt me vendin ku ai u lokalizua fillimisht, është gjetur edhe një çantë shpine, e cila përmbante një sasi lëndësh narkotike, si dhe gjashtë granata dore. Për këtë arsye në vendngjarje është thirrur edhe njësia për asgjësimin e municioneve shpërthyese e Policisë Helenike, për të bërë sigurimin dhe verifikimin e materialeve të rrezikshme.
Sipas të dhënave hetimore, Alesio Xhelo, 42 vjeç, rezulton të ketë një të kaluar të gjatë kriminale, me akuza të rënda që përfshijnë vrasje, tentativë vrasjeje, pjesëmarrje në organizatë kriminale, rrëmbim, grabitje, përdhunim, vjedhje dhe vepra të tjera të lidhura me armëmbajtje dhe dhunë të rëndë. Autoritetet greke theksojnë se ndaj tij ishin në fuqi një urdhër arresti evropian dhe një njoftim i kuq ndërkombëtar, për vepra penale që përfshijnë tentativë vrasjeje, grabitje të përsëritura, arratisje nga burgu, rezistencë ndaj autoriteteve dhe armëmbajtje pa leje.
Gjithashtu, bëhet e ditur se ai ishte arrestuar më parë jashtë vendit në vitin 2019 dhe kishte vuajtur një dënim deri në vitin 2025, ndërsa sipas të dhënave hetimore, në vitin 2026 ai kishte hyrë ilegalisht në Greqi. Policia shton se në total, dënimet dhe proceset gjyqësore në pritje ndaj tij arrijnë në më shumë se 73 vite burg.
Hetimet për ngjarjen vijojnë nga Nën-Drejtoria për Ndjekjen Penale të Krimeve kundër Jetës dhe Pronës pranë Drejtorisë së Krimit të Organizuar në Greqi.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.