Opinion

Përplasje mes dy botësh Ballkanike

ARBEN MANAJ

arben-manaj-1Atë që bëri Rama në Beograd do e bënte çdo shqiptar i madh, dhe atë që bëri Vuçiç e bën çdo serb i vogël. Madje Rama bëri më shumë se çdo shtetar shqiptar paraardhës, që ka shkuar ose ka dështuar të shkojë përpara tij në Beograd.

Rama foli për Kosovën që nuk kishte sesi ta anashkalonte, por foli si europian mbi të gjitha, duke parashtruar vizionin shqiptar se si shkohet në BE, ndërkohë që homologu i tij, po aq trupgjatë, por më truvogël, u duk se me Europën e lidhte vetëm gjerësia gjeografike.

Dihej që pas tërë atij ajri të keq të infuzuar në atmosferën para takimit dhe post ndeshjes, takimi Rama–Vuçiç do të ishte, siç edhe ndodhi, i ftohtë, nervoz dhe joproduktiv në fund të fundit.

Provokues, padyshim, pasi nuk mund të imagjinosh që në ceremonial të ketë vetëm flamur serb në paradën e nderit. Ndaj dhe Rama u përgjigj se mikpritja në Tiranë do të jetë reciproke.

Vizita e Ramës në Beograd dëshmoi se sa e pavlerë është të flasësh me murin, që mbetet mur po aq berlinez, edhe pse Kancelarja berlineze po shpreson të rrëzojë mure në mentalitetin dukshëm nacionalist të Vuçiç dhe klasës aktuale politike në Beograd.

Edi Rama në Beograd doli të jetë më i zoti se i ashtuquajturi “Olsi” me dronin e famshëm të ngritur hipotetikisht prej tij, pasi Edi Rama ngriti jo vetëm dinjitetin e qëndrimit shqiptar, por edhe dinjitetin e vizionit europian për Ballkanin, i cili me ç’duket e ka të gjatë rrugën drejt BE-së, në një tren me Serbinë, si bashkëpasagjerë.

Jo se nuk e dinin, por Perëndimi dhe më gjerë, patën rastin me këtë vizitë të dëshmonin edhe njëherë se sa partnerë të vështirë dhe të pabesueshëm kanë në Beograd dhe çfarë vizoni politik ka elita politike serbe, e cila e kupton se e ka humbur Kosovën, por ende mban në dorë dhe mure zyrash qeverie, orë që tregojnë kohën përpara sulmeve ajrore të NATO-s.

Ajo që duket se mbetet po aty ku ishte përpara kësaj vizite, është fakti kokëfortë se Shqipëria edhe përkundër rolit moderues dhe shtytës për integrime më të përshpejtuara dhe më serioze drejt BE-së nga të gjitha vendet e Ballkanit, rrezikon shumë po të shpresoj naivisht se një ditë Serbisë do t’i dalë pija e nacionalizmit dhe do të zgjohet nga ëndrra e keqe e Kosovës dhe kur t’i ketë dalë kjo pije, do të mund të avancojë bashkë me të drejt autostradës së Brukselit.

Serbët duket se nuk ecin në të njëjtën korsi që predikoi Rama, por ecin në atë të emergjencës, pasi janë defektozë me ç’duket dhe ç’dihej.

Fatkeqësisht, nga çfarë u pa në Beograd dhe mënyra sesi fliste gjuha trupore mes dy kryeministrave të dy vendeve, që njëra ka humbur atë që kishte marrë padrejtësisht, dhe tjetra ka rifituar drejtësisht atë që i ishte marrë, marrëdhëniet mes tyre janë po aty ku kanë qenë tërë këto dekada.

Janë dy botë të ndryshme që përplasen: ku njëra kërkon të ndjekë të njëjtën vijë kursi dhe tjetra kërkon ta godasë për ta devijuar nga kursi.

Rama, siç i takonte, bëri adetin dhe formalisht e ftoi Vuçiçin në Tiranë, në një vizitë që do të habitesha nëse do të ndodhte vitin e ardhshëm.

Por Tirana do të duhet të ndjekë rrugën e vet drejt BE-së e pakondicionuar si deri më tani, nga kursi serb.

Idealisht do të duhej që Tirana dhe Beogradi dhe të gjitha vendet e Ballkanit për hir të argumentit, të flisnin me një gjuhë të vetme, për të qenë bindës për euroskeptikët dhe të tejlodhurit e Brukselit, por euroskeptikët dhe rusofilët janë në Beograd, andaj ka ardhur koha, jo për faj të saj, që Shqipëria të arrijë paqen me vetveten se nuk kanë shans për t’i pasur bashkëpasagjerë në trenin europian, serbët e sotëm.

Paralelisht, edhe të bindë Europën dhe ata që kanë mbetur të paintegruar dhe mbesin aspirantë, nga pjesa tjetër e Ballkanit, që do të duhet të lënë pas, siç lënë nëpër dokumentarët e National Geographic, elefantët e mëdhenj ndonjë tjetër syresh, të plagosur rëndë e të pamundur për të ecur nëpër rrugëtimet drejt habitateve natyrale.

Ky është realiteti i sotëm ballkanik dhe brishtësia e këtij realiteti.

Ishin dy botë që u përplasën në Beograd; dy botë me vizione dhe qasje të ndryshme europiane.

Me atë që ndodhi në Beograd të hënën, Shqipëria fitoi trepikëshin në tavolinën e Brukselit dhe Rama nuk ka më alibi se nuk bëri më mirë, atë që serbët pretenduan se bëri i vëllai i tij, javë më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button