Përplasjet te Ministria e Arsimit, reagon policia: 23 persona të shoqëruar, 6 efektivë dhe një gazetare të lënduar
Policia e Shtetit ka reaguar pas përplasjeve të dhunshme gjatë tubimit të zhvilluar mesditën e sotme pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Sipas policisë, 23 persona janë shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa si pasojë e incidenteve janë lënduar gjashtë efektivë të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe një gazetare. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë, një grup pjesëmarrësish kanë ndërmarrë veprime të dhunshme, duke dëmtuar fillimisht rrethimin e jashtëm të godinës dhe më pas portën hyrëse, me qëllim hyrjen në oborrin e institucionit. Gjithashtu, ata dyshohet se kanë thyer dhe dëmtuar me pllaka guri dhe sende të forta xhamat dhe fasadën e ndërtesës.
Policia pretendon se, pavarësisht thirrjeve të përsëritura për ndalimin e sulmit dhe largimin nga oborri i Ministrisë, personat e përfshirë kanë vijuar veprimet e dhunshme, duke goditur efektivët me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të forta.
“Në këto kushte, në përputhje me ligjet në fuqi dhe procedurat standarde të punës, strukturat e Policisë kanë ndërhyrë në mënyrë proporcionale për neutralizimin e autorëve të këtyre veprimeve dhe rivendosjen e rendit.
Njëkohësisht, kanë shoqëruar 23 prej tyre për veprime të mëtejshme procedurale.
Si pasojë e sulmit nga persona të maskuar, pjesëmarrës në protestë, janë lënduar 6 punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë, si dhe një shtetase, gazetare. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, bëhet me dije në njoftimin e policisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.