Përse Edward Snowden nuk do të kthehet së shpejti në shtëpi
Ka pasur shumë fjalë se ish-punonjësi i Agjencisë Kombëtare Amerikane të Sigurisë mund të kthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Snowden është gati të kthehet në SHBA, por me kushtin që atij t’i jepet një garanci për gjyq të ligjshëm dhe të paanshëm”, tha avokati rus i Snowden, Anatoly Kucherena, javën që lamë pas.
Ben Wizner, një nga këshilltarët ligjorë të Snowden në Amerikë, u shpreh se Snowden duhet të marrë lehtësi ashtu si gjenerali David Petraeus, ish-shefi i CIA-s që ra dakord të bënte dy vite burg dhe që u shpall fajtor për një nga akuzat.
“Nëse Petraeus meriton trajtim special për shkak të shërbimit të tij ndaj kombit, atëherë me siguri se i njëjti trajtim duhet t’i ofrohet edhe Edward Snowden-it, veprimet e të cilit çuan në një debat global historik që do të forcojë shoqëritë e lira”, tha Wizner.
Megjithatë, ka arsye të qarta përse Snowden nuk do të jetë në gjendje të marrë një marrëveshje të favorshme dhe të kthehet në shtëpi apo të shkojë gjetkë në ndonjë vend tjetër veç Rusisë.
Çështja rrotullohet rreth termit të ‘një gjyqi të drejtë’, si dhe mbi ndikimin e Presidentit rus, Vladimir Putin. Qeveria amerikane e ka akuzuar 31-vjeçarin për tri shkelje, dy prej të cilave mbështeten në aktin e spiunazhit të Luftës së Parë Botërore, pasi ai vodhi 1.77 milionë dokumente të klasifikuara nga NSA-ja dhe u largua nga Havai në Hong-Kong e më pas në Moskë.
“Ligjet në bazë të të cilave është akuzuar Snowden nuk bëjnë dallimin midis ndarjes së informacionit me shtypin në interes të publikut dhe shitjes së sekreteve te një armik i huaj”, u shpreh Wizner majin e shkuar.
“Ligjet nuk i ofrojnë atij asnjë mundësi për të thënë se informacioni nuk duhej të ishte mbajtur sekret nga publiku që nga fillimi”, vazhdoi Wizner. “Dhe fakti se zbulimet kanë çuar në çmimet më të larta të gazetarisë, kanë drejtuar reforma historike në SHBA dhe kudo në botë – të gjitha këto do të ishin të parëndësishme në një ndjekje penale nën ligjet e spiunazhit në Shtetet e Bashkuara.”
Snowden u dha rreth 200 mijë dokumente gazetarëve. Është e paqartë se çfarë ka ndodhur me pjesën tjetër të informacionit që ai dyshohet se ka shkarkuar.
Në tetorin e 2013-s, James Risen raportoi se ish-tekniku i CIA-s tha: “Ai ua dha të gjitha dokumentet e klasifikuara që kishte gazetarëve, me të cilët u takua në Hong-Kong”. Sipas avokatëve të Snowden, kjo nuk është e saktë.
Në maj 2014, Snowden u shpreh se ai i ‘shkatërroi’ të gjitha dokumentet që kishte gjatë qëndrimit në Hong-Kong.
Duke qenë se është e panjohur se çfarë bëri Snowden me pjesën më të ndjeshme të dokumenteve që vodhi, çdo lloj lehtësimi apo marrëveshje faljeje nuk duket e mundur tani.
“Është nxitur dukshëm nga rasti Petraeus, jo nga administrata apo Snowden”, tha Andrei Soldatov, një gazetar rus investigativ. “Teksa ‘kampi i Snowden’ dhe qeveria amerikane kanë përpara një rrugë qorre, nuk shoh përse duhet të ndryshohet nëse lajmi nuk nxitet nga ndryshimi i pozitës së njërës prej palëve”.
Marsin e shkuar, gazetari Soldatov shpjegoi përse Putin nuk do të donte ta linte Snowden-in të shkonte.
“Thjesht mendoni për këta djem paranojakë – ata janë shumë të fiksuar në shumicën e çështjeve”, tha Soldatov. Ata mund të mendojnë ‘në rregull, ne punuam me Snowden për shumë muaj dhe nëse ai largohet nga vendi, nuk do të jetë nën kontrollin tonë. Dhe problemi është se tani ai mund të fillojë të nxjerrë jo më gjëra për NSA-në, por për FSB-në (homologen ruse të agjencisë) dhe se si e kemi trajtuar ne këtu”. Ky mund të jetë një mendim natyral për FSB-në.
Soldatov përshkroi sesi shërbimet e sigurisë së Kremlinit i bëjnë gjërat hap pas hapi dhe ai dha detaje edhe sesi FSB-ja mund të kishte dashur ta dorëzonte Snowden-in, pasi ai kishte kërkuar ndihmë nga Moska kur ishte në Hong-Kong.
“Hapi i parë ishte të dërgohej Snowden-i në Moskë”, tha Soldatov. “Hapi tjetër ishte izolimi i tij për 40 ditë (për të vendosur se çfarë do të bëhej). Hapi i tretë ishte dhënia e azilit. Më pas i lanë të kuptohet azilkërkuesit se ai ishte në rrezik, pasi dikush e kërkon. Më pas personi dërgohet në një mjedis të kontrolluar dhe punohet me të.”
Kështu, Soldatov beson se Snowden ka bërë një gabim të madh kur vendosi të shkonte në Moskë.
*Burimi: Busniness Insider