Bota

Përse Kina ia ka vënë syrin Portugalisë në Europë

Duke përfituar nga kriza e borxheve, kapitalet kineze po hyjnë në sektorët strategjikë të ekonomisë portugeze, duke e transformuar vendin në një bazë për ekspansionin në Europë

Me 16 shtator Kryeministri kinez Li Keqiang është uulur në bazën ajrore të Lajes në Ishujt Azore, bashkë me gruan dhe me 8 eksponentë të qeverisë së tij. Kishte ardhur për të përgatitur vizitën e Antonio Costa në Kinë: me 9 tetor, Kryeministri portugez do të pritej në nivelet më të larta dhe do të takonte Presidentin e Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping. Tashmë Portugalia është në shënjestrën e investimeve të ekonomisë së dytë botërore, e drejtuar nga një president që do të rindërtojë Perandorinë e Mesit dhe të zgjerojë tregun për bizneset e tij. Ishte hera e tretë në 4 vjet që Kryeministri apo Presidenti i Kinës kalonin nga Lajes. Baza ajrore i është dhënë me konçension Shteteve të Bashkuara, por Uashingtoni do ta ridimensionojë praninë e tij për të reduktuar shpenzimet ushtarake. Sipas analistit Miguel Monjardino, vizitat e autoriteteve kineze nuk janë aspak koinçidencë, por një shenjë e afirmimit të influencës së Pekinit në Atlantik.

Që Li Keqiang do të kalonte nëpër ishullin Terceira dihej, por askush nuk e priste që do të shëtiste bashkë me të shoqen në qendrën historike e qytetit të vogël Angra do Heroísmo dhe do të asistonte në një koncert në shumë qendroren Praça Velha. Sipas Monjardino, ka qenë një demonstrim sigurie. “Ka dashur ta testojë reagimin e banorëve me praninë e tij”. Monjardino është i bindur se qeveria kineze do që ta përdorë rregullisht bazën e Lajes si tranzit drejt Amerikës, por një përdorim ushtarak është jashtë diskutimit; maksimumi Portugalia dhe Kina do të nënshkruajnë marrëveshje që kanë të bëjnë me Azoret në fushën e logjistikës dhe të kërkimit shkencor, një hipotezë që qeveria e Lisbonës po e peshon.

Kina është risia e madhe në valën e privatizimeve që ka përfshirë Portugalinë në vitet e fundit. Pekini po zë vendin që deri pak kohë më parë ishte zënë nga Angola. Prania e tij shtrihet nga sektorë të papritur, si për shembull ajo e mjeteve të informimit. Kinezët kanë blerë kuota në kompanitë më të mira dhe më fitimprurëse portugeze. Investimi i madh kinez ka nisur në 2011, kur Lisbonës i është dashur të kërkojë ndërhyrjen e treshes (Komision Europian, Bankë Qendrore Europiane dhe Fond Monetar Ndërkombëtar) për të shpëtuar nga kriza e borxheve. Kina po i ndërkombëtarizonte kompanitë e saj dhe Portugalia kishte nevojë urgjente për para. Qysh atëhere investitorët kinezë kanë sjellë në vend 12.5 miliard euro, më shumë se e ardhura nga privatizimet e kryera në të njëjtën periudhë (9.5 miliard euro). Përpara 2011, investimet e direkte kanë qenë qesharake. Në 2007. Një vit përpara krizës financiare botërore, shkonin në 2.2 milion euro dhe kishin të bënin ekskluzivisht kompaninë energjetike EDP. EDP-ja ka qenë një portë e rrotullueshme: shteti portugez ka dalë vetë dhe ka futur kinezët. Pak kohë më pas ka ndodhur e njëjta gjë me REN-in, që menaxhon rrjetin elektrik dhe gazsjellësit.

Sot Kina është aktive në Portugali si në asnjë vend tjetër perëndimor, me një prani të fortë në sektorë strategjikë si ai energjitik dhe në zona që shkojnë nga shëndetësia tek sigurimet, nga sektori imobiliar tek turizmi, nga aviacioni tek mjetet e informimit. Nuk ka pothuajse asnjë sektor ku Pekini të mos ketë futur duart. Ka kapitale kineze në kompaninë ajrore TAP, në sigurimet Fidelidade, në klinikat private Luz Saúde, në grupin Global Media, në turizëm dhe në sektorin imobiliar. Dhe nuk është e gjitha. Kina mund të bëhet shpejt aksionerja e madhe e bankave private portugeze, duke e futur në sektorin bankar europian me një çmim shumë të leverdisshëm. Në muajin nëntor grupi Fosum ka blerë 17% të bankës BCP. Minsheng Financial Group është një prej 5 blerësve potencialë të Novo Banco, institutit të krijuar pas rënies së Banco Espírito Santo (BES). Është tashmë në duar kineze ish Bes Investimento, i blerë nga grupi Haitong në fund të 2014. Shpejt Pekini mund të kontrollojë 30% të tregut financiar portugez.

10 vite më parë, Kina ka zgjedhur Portugalinë si një 4 partnerëve strategjikë botërorë: një bast që ka nisur tashmë të japë frutet e tij. Kina ndjehet e mirëpritur dhe ky është një prej motiveve për të cilat ka investuar me forcë. Paraardhësi i Costa, Pedro Passos Coelho, i ka shtruar tapetin e kuq përpara Pekinit, duke u mundësuar kompanive shtetërore kineze që të marrun kontrollin e sektorit energjitik. Kuotat e mazhorancës e EDP-së dhe REN-it kontrollohen nga dy kompani kineze, China Three Gorges dhe State Grid. Me këto shitje shteti portugez ka arkëtuar më shumë se 3 miliard euro, por edhe ia ka lënë Kinës monopolin e rrjetit energjitik kombëtar dhe kontrollin e një kompanie si EDP-ja, që në vitet e fundit kishte regjistruar 1 miliard euro fitim.

Fakti që sektori energjitik dhe në mënyrë të veçantë rrjeti i shpërndarjes janë në duar të kompanive shtetërore të huaja e vë në siklet të gjithë botën politike portugeze, nga e djathta dhe nga e majta. Asnjë vend europian nuk kishte pranuar asnjëherë që ta cedonte menaxhimin e shpërndarjes dhe të transportit të energjisë. Por Pekini do të shtyhet akoma më tej: kapitalet kineze mund të futen edhe në kompaninë petrolifere Galp. Një ish menaxher i kompanisë pranon se kompania shtetërore kineze Sinopec është tashmë partnere e Galp-it në Brazil dhe ka në program që ta rrisë pjesëmarrjen e saj Portugali. Kriza e kompanisë petrolifere shtetërore angolase Sonangol, aksionere e Galp-it, mund ta favorizojë këtë proces.

Mundësi koloniale

Një prej motiveve që e kanë shtyrë Kinën të kapë kompani portugeze është pikërisht vullneti për ta forcuar praninë e saj në vendet luzofone, ku Pekini dëshiron të ketë një rol të dorës së parë. Galp-i është i pranishëm në Angolë, Mozambik, Kepin e Gjelbër, Guinenë Bisao dhe São Tomé e Principe. Kinezët, që gjatë viteve të fundit kanë investuar miliona euro në Afrikë pa siguruar kthimin e shpresuar ekonomik, duket se e kanë kuptuar se mund të jetë më e lehtë të futesh në ato tregje nëpërmjet kompanish që i njohin prej dekadash. “Lidhjet me ish kolonitë portugeze janë sigurisht një prej faktorëve që kanë tërhequr investitorët kinezë”, shpjegon kërkuesja Raquel Vaz Pinto. “Portugalia përfaqëson një avantazh të madh për kinezët: mundësia e lidhjes së marrëveshjeve tregtare në tregun luzofon, sidomos në Angolë e në Mozambik, por edhe në Brazil. Nuk duhet harruar edhe se Macao, ish koloni portugeze në territorin kinez, që është një lloj dere hyrëse për investimet”.

Por nuk është gjithçka. “Portugalia ka edhe kompani me një vlerë teknologjike të përtypshme, si EDP Renovavéis. Sot Pekini i atribuon një rëndësi të madhe rritjes së mbështetshme. Në Kinë një prej motiveve kryesore të protestës është i lidhur me tokat e kultivueshme dhe me problemet mjedisore”, shpjegon kërkuesja. Vaz Pinto ka një shpjegim edhe për blerjen e klinikave Luz Saúde: “Për shkak të politikës së fëmijës të vetëm, sot Kina është e zënë me problemin e plakjes së popullsisë dhe po kërkon dije të mira në sektorin shëndetësor”.

Kur kinezët tregojnë interes për diçka, rrallë e lënë që t’u shpëtojë nga duart. Ka ndodhur edhe me privatizimin e Fidelidade, me shitjen e Hospital da Luz, përveç se me EDP-në dhe REN-in. Kinezët kanë paraqitur gjithmonë ofertën më të lartë. Për më optimistët i ashtuquajturi pushtim i kapitalit kinez në kompanitë portugeze duhet të pritet me mirënjohje, sidomos po të kihet parasysh se Kina e ka ndihmuar Portugalinë kur kishte më shumë nevojë. Praktikisht, milionat e eurove të ardhura nga blerjet kineze kanë qenë një mbështetje mjaft e dobishme në një moment në të cilin vendi kishte një akses të kufizuar në tregjet financiare dhe nuk kishte kandidatë të rëndësishme për privatizimet.

Kurse më armiqësorët theksojnë se investimet kineze nuk sjellin asnjë vlerë të shtuar. Midis këtyre është Fernando Ulrich, President i Banco Português de Investimento, sipas të cilit Portugalia është bërë “aeroplanmbajtësja e Kinës në Europë”. “Askush nuk skandalizohet nga fakti që Presidenti i grupit Fosun është pjesë e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze dhe se kompanitë janë të kontrolluar nga shteti, ndërsa të gjithë ankohen kur angolasit blejnë diçka në Portugali, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për operacione transparente”, ka deklaruar Ulrich në vitin 2015.

Një gjë është e qartë: kinezët lëvizin me maturi. Lënë në vendin e tyre menaxherët e kompanive të blera, nuk shkurtojnë personelin dhe rrisi vëllimin e biznesit. Natyrisht që ka ndryshime të vogla: për shembull, EDP-ja ka nisur të përdorë matës të prodhuar në Kinë. Gjithsesi, është ende shpejt për të vlerësuar pasojat e këtyre blerjeve, sidomos në nivel investimesh dhe krijimi vendesh pune të kualifikuara. Nëse konservatori Passos Coelho ia ka hapur derën Pekinit, socialisti António Costa po e mban të hapur fare. Portugalia është tashmë destinacioni i 5-të në klasifikimin e investimeve kinezë në Europë dhe janë në ardhje blerje të reja. Në shënjestër janë turizmi dhe bujqësia, përveç krijimit të një platforme logjistike në portin e Sines. Pak më shumë se një vit më parë, ambasadori kinez në Portugali ka vizituar qytetin e Sines. Objektivat e iniciativës qenë të qartë: të vlerësohej konkurrenca e portit dhe pozicioni strategjik i tij, pikë hyrjeje e shkëlqyer në Europë.

Ftesa ndaj investimit kinez gjen jehonë edhe në korridoret e diplomacisë. Raportet me Kinën po jetojnë një moment të artë: nga viti 2017 do të jenë aktivë 3 fluturime në javë midis Lisbonës dhe Pekinit, me objektivin e forcimit të shkëmbimeve tregtare e turistike midis dy vendeve. 2016 duhet të mbyllet me vizitën e 180000 turistëve kinezë, një rekord absolut. Faza e investimeve në kompanitë e mëdha ka përfunduar, pasi tashmë nuk ka mbetur shumë për t’u privatizuar. Lejtmotivi tani është “të diversifikohet”: saktësisht mesazhi që Costa ka dashur të japë gjatë vizitës së tij në Kinë. Që bëhet fjalë për koinçidencë apo jo, vala e investimeve kineze ndjek një trajektore të ngjashme me atë të përdorur nga angolasit, që fillimisht kanë hyrë në sektorin e energjisë dhe më pas kanë zgjeruar praninë e tyre tek bankat, mjetet e informacionit, në sektorin imobiliar dhe në bizneset e vogla e të mëdha. Duke përfituar nga dobësia e investitorëve angolas, që nuk mund të mbështetet më mbi çmimin e lartë të naftës, kinezët po zënë vendin e tyre dhe mund të përfitojnë çmime më të leverdishëm. “Kina është një prej partnerëve tregtarë të Angolës. Me rënien e çmimeve të naftës, angolasit kanë humbur pushtetin dhe janë detyruar që të ndajnë disa pjesëmarrje”, shpjegon Vaz Pinto.

Muaj mjalti

Deri më tani Portugalia e ka shmangur debatin e zjarrtë e ngjallur në pjesën tjetër të Europës nga investimet kineze. Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, destinacione të reja të mëdha të kapitaleve aziatike, rrudhin hundën përpara hyrjes së Pekinit në sektorët strategjikë. Kohët e fundit në Berlin është rihapur polemika kur grupi kinez Midea ka kërkuar të blejë kompaninë teknologjike gjermane Kuka dhe qeveria gjermane i është kundërvënë operacionit. Në ekonominë kryesore europiane po fillojnë të formohen antitrupat përballë fenomenit: ne 6 muajt e fundit të vitit të klaura kinezët kanë shpenzuar 10.8 miliard dollarë për blerjen e 37 kompanive gjermane. Pjesa më e madhe e këtyre janë drejtuat ndaj kompanive teknologjike, që janë objektivi kryesor i Pekinit. Kancelarja gjermane Angela Merkel do reciprocitet. Gjermania është eksportuesi më i madh i Europës dhe Kina mban një qëndrim proteksionist të bazuar mbi kapitalizmin dhe të bazuar mbi kapitalizmin shtetëror. “Reciprociteti është problem themelor. Në ekonominë kineze aktorë të ndryshëm janë ende të kontrolluar nga shtetit. Ka pikëpyetje të mëdha që kanë të bëjnë me të ardhmen, duke filluar nga evolucioni i lidershipit kinez. Kemi asistuar në centralizimin e pushtetit në duart e Presidentit. Xi Jinping është konsideruar gjithmonë si një lloj perandori, dikush e quan tashmë president perandorak”, shpjegon Vaz Pinto. Kina nuk është akoma një ekonomi tregu në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe kjo ngre dyshime të ndryshme. Portugalia është ende në fazën e muajit të mjaltit, por herët apo vonë do t’i duhet të përballet me këtë debat.

(Anabela Campos e Isabel Vicente për Expresso)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button