Përurohet pika e re doganore Shqipëri-Kosovë, Rama: Tashmë vonesat në kufi, vetëm 5 minuta
Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij kosovar Isa Mustafa përuruan sot në Morinë tranzitin e pёrbashkёt doganor ndërmjet Kosovës dhe Shqipёrisё. Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se nga sot nuk do të ketë më dy ditë vonesa, për të kaluar mallrat në kufi, por do të mjaftojnë vetëm 5 minuta.
“Ky është një hap përpara drejt bashkimit të synuar doganor. I japim fund një kapitulli vonesash, mungesash dhe nganjëherë edhe zvarritjesh, për sipërmarrjen që punon në të dyja anët e kufirit. Nga sot nuk janë më dy ditë vonesat, për të kaluar mallin nga njëra anë në tjetrën por mjaftojnë vetëm 5 minuta. Kufijtë janë pika bashkimi dhe jo vija ndarjeje, kjo ka qenë bindja jonë që kur u angazhuam në një bashkë udhëtim përtej kufijve për bashkimin kombëtar dhe evropian me Kosovën”- deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, tranziti i përbashkët doganor është një gur i rëndë në themelin e së ardhmes së përbashkët të shqiptarëve.
“Vizioni ynë është i qartë dhe mbi të gjitha vendosmëria jonë e përbashkët është në provë dhe çdo ditë provon se është në shërbim të rrugës, bindjeve dhe qëllimit tonë të madh, ëndrrës së madhe të të gjithë shqiptarëve për të jetuar së bashku në atë hapësirë të përbashkët ku një komb funksionon përmes dy shteteve. Falenderim i posaçëm për kryeministrin e Kosovës, me të cilin do të jemi në Tiranë në mbledhjen e dy qeverive, për të garantuar se së bashku do të bëjmë realitet gjithçka që me të drejtë shqiptarët këtej dhe andej kufirit na e kërkojnë me të drejtë. Nuk ka kohë për të humbur dhe kjo është koha jonë, koha e shqiptarëve”- deklaroi Rama.
Kryeministri Rama theksoi se “gjatë periudhës së verës këtë vit, do të fillojë një regjim i ri, ku nuk do të ketë më kontrolle një për një të veturave të familjeve që vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet, por do të ketë një kontroll shumë të relaksuar, për të bërë të mundur që kjo të jetë një vijë kalimi dhe jo një pikë kontrolli”.