Kryeartikull

Perversiteti politik i sistemit

Nga Bashkim Abazi

Në plotësi të trikulës logjike “Pasojat neurotike të ideologjisë” dhe “Absolutizimit të gjykimit” po i prezantoj lexuesit si më poshtë:

Historia është gjykatëse

Në prag të Luftës II Botërore, L. Vitgenshtain, toger i monarkisë austro-hungareze, hyri te filozofët e kohës me doktrinën “Hesht për atë që nuk mund ta thuash”. Vetëm ajo që parashtrohet qartësisht dhe me logjikë ka kuptim. Filozofi është ndier mirë me vetveten, pjesa tjetër ka përtypur perversitetin e efektit të idesë. Koncepti filozofik i shërbeu histerisë së luftës dhe përballimit klasik të tmerreve të saj. Ai pështjelloi në interesa, pasojat e histerisë dhe solli si prurje të përfundimit të luftës së ftohtë pretendimet e rendit të ri botëror. Kjo e fundit është mjaft interesante. Pas ndarjes së territorit, fitimtarët u kacafytën për dominim, Franca, Anglia, SHBA-ja i diktuan Gjermanisë heshtjen dhe nënshtrimin.

Një pohim është i vërtetë, kur e kundërta e tij nuk mund të provohet

Doktrina monarkiste i vendosi në mërmërima psikozat e frikës, për të fshehur dinakërinë dhe poshtërsinë e perandorive – civilizimeve të fuqishme si SHBA-ja, Anglia, Rusia, Franca … – ndaj shkatërrimeve dhe masakrave të fisnikërisë së zgjuar për pushtet, skandalet e politikës dhe shërbimeve sekrete, si dhe pangopësinë e lobeve fatlumë.

Çrregullimi është një stad paraprak i lindjes së një rendi më të lartë, të rregulluar dhe organizuar interesi

Jemi në kohën e mëkateve dhe qurravitjeve për sundim, për madhështi – po bindemi se Kryeministri i shqiptarëve është një lider botëror – kundër riformatimit të rendit botëror nga po i njëjti zgjim i kombeve antikë, të lashtë dhe mesjetar. Këtu, dhe vetëm këtu, hullia e frikës dhe e humbjes së vendimmarrjes ka përndjekur vetveten, në një dilemë më të ashpër se sa vetë ideologjia iluministe, përgjegjëse për identitetin e tanishëm të çdo shoqërie dhe kombi. Edhe të shoqërisë shqiptare. Një analogji konceptuale me modernizmin e kohës i rrudhos rrjedhat e mendimit me ndjeshmëri dhe nostalgji logjike. Goditjet fatale i merr baza morale e idesë – jemi jashtë idesë dhe brenda efektit të saj neurotik – dhe mirëqenia sociale si qëllim fundor i veprimeve tona qeverisëse. Pas kësaj na mbetet në dorë vetëm cinizmi dhe perversiteti politik i qeverisjes.

Çdo përshkrim optimist i historisë për të ardhmen është iluzion

Ato që e imponojnë strukturën globale janë kaosi i veprimeve, mospërputhja e qëndrimeve dhe rindarja e privilegjeve ndaj popujve dhe kombeve. Hierarki dhe pushtete të trashëguara nga e kaluara kanë ruajtur domenin e diktatit dhe të sundimtarit për civilizime barbare dhe kanë hequr në disa rajone dhe shtete, të drejtën e debatit, të të qenët aktor dhe faktor në vendimmarrje; ato janë reduktuar vetëm konsensual dhe sfond përgojues i etikës globale.

Shumë keq!

Interesat e kombeve të mëdha imponojnë dhe i shndërrojnë shoqëritë lutëse dhe qaramane në oaze të përpunimit politik

Sistemet e mbyllura – socializmi shkencor, fashizmi, sulltanati, diktatura e proletariatit, totalitarizmi, juntat ushtarake, monarkitë, gjysmëpresidenciale – kapërcejnë në mënyra të paevitueshme nga rregulli në shthurjen e ndalshme me vështirësi. Ristrukturimet e tyre janë enigmatike, doktrinare dhe plot dhembje. Cogito ergo sum i ka dhënë ekzistencës së sistemit dhe perversitetit politik mohimin e dyshimit për mbivendosje të gjenezës dhe të drejtën e gjykimit apriori të qëndrimeve. Koha e ripërtypjes servile ka parazgjedhur demagogët e turmave mbllaçitëse dhe dallkaukët klakistë me humorin e Pazarit të Vjetër. Përtej klasicizmit dhe ideologjisë, brenda idesë dhe efektit të saj neurotik dëshmuam modelin më të pamenduar totalitar – ndryshe nga të gjitha vendet e lindjes ideologjike – dhe sistemin më paranojak të demokracisë së dështuar, tinëzare dhe poshtëruese. E pamerituara është servirur si e kërkuara dhe e vetmja zgjidhje për jetë të shëndetshme sociale. Krijesa e saj integruese ka shpalosur pragmatizmin më pervers të qeverisjes. Përtej prirjes së shoqërisë për t’u organizuar, ekziston një shkak për harmoni dhe progres – e drejta për të pasur një qeverisje të mirë, standard inteligjence të perceptueshme në nivelet e realitetit jetësor.

Liria e veprimeve është e kufizuar nga qëllimi i fundit i tyre

Ajo nuk i justifikon dështimet e qeverisjes, por lejon shndërrimin e dashurisë dhe pasionit të bindjeve në urrejtje dhe hakmarrje politike. Ky përbën çastin e ekzistencës politike të mjerë. Mbas deshifrimit të hierarkisë së vështirësive dhe shtrëngesave për jetën, pengesave për integrime dhe rilindjen e shoqërisë në drejtimin e duhur, jemi në zanafillë, në pikënisje – fillimi i fillimit. Asnjë ligj dhe parim i filozofisë politike nuk na lejon të analizojmë përzgjedhjen e aleancës europiane. Doktrina na përshkruan vetëm ekzistencën e një tërësie me kufoma, arketipa kriminalë, mbetje bastarde të një prurjeje, që na e ka fshehur aftësinë për të kuptuar dhe ndier.

Fatkeqësisht i pakuptuar, i konsideruar i lehtë ose i servirur i tillë te qeverisja dhe Kryeministri.

Fatkeqësisht, i mohuar palimpsesti i përvojës dhe dinamikës midis dy sistemeve. Fatkeqësisht, i rendur pas imazhit pa skrupuj dhe madhështisë me delire.

Qeverisja me pavetëdije është një gërmadhë politike

Konsiderata e tillë më bën të prekshëm ndaj realitetit të shpirtit. Ajo që ka ndodhur është modifikimi i standardit të jetesës, në një marrëdhënie jashtëzakonisht të saktë me qeverisjen e mëparshme. Parametrat e qeverisjes aktuale janë në të njëjtin nivel demagogjie, e konsumojnë kohën e shqiptarëve me të njëjtën metodologji politike dhe i kanë dhënë skenës, ekranit, podiumit një gradë më lartë joshjeje perverse. Kryeministri i shqiptarëve duhet të kuptojë se shoqëria i zotëron virtytet e nevojshme për të përfituar një qenie të aftë, me vetëdije dhe inteligjencë. Ndryshe duhet ta shpallë Shqipërinë park ndërkombëtar zoologjik.

Related Articles

Nje koment

  1. Nje njeri Pervest si Bashkim Abazi qe pretendon se njeh politiken kur nuk ka marre pjese kurre ne asnje lloj posti qe nga 1990 ne asnje parti dhe organ shteteror qe nuk rregullon dhembet ne goje te tije do te rregulloje te tjeret pervest njeri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button