Bota

Pezullohen nga puna 14 oficerë të lartë të një baze ushtarake në Teksas 

Në një konferencë për shtyp të Pentagonit, Sekretari i Ushtrisë Ryan McCarthy tha se një bord i pavarur civil gjeti probleme të përhapura në bazën e dytë më të madhe të ushtrisë amerikane, duke përfshirë dështimet për të hetuar krimet dhe mungesën e besimit në parandalimin e krimeve seksuale që çuan në krijimin e kushteve për sulme dhe ngacmime seksuale.

McCarthy u tha gazetarëve se çështjet në Fort Hood, duke përfshirë një mori vrasjesh dhe zhdukjesh dhe një nivel më i lartë krimi se sa në çdo bazë tjetër të ushtrisë, “janë të lidhura drejtpërdrejt me dështimet e udhëheqjes”. McCarthy tha se udhëheqësit përcaktojnë kulturën dhe ai ishte shumë i zhgënjyer që këta udhëheqës “dështuan të krijonin në mënyrë efektive një klimë që i trajton të gjithë ushtarët me dinjitet dhe respekt”.

Fort Hood është përballur me vëzhgim intensiv pas disa incidenteve të fundit, përfshirë vdekjen e oficeres Vanessa Guillén, e cila u vra nga një ushtar tjetër në prill. Eshtrat e saj u gjetën në një gropë të cekët në qershor pas zhdukjes së saj.

Të liruarit nga detyra përfshinin komandantin e bazës Fort Hood në kohën e vdekjes së ushtares Guillén, Gjeneral Major Scott L. Efflandt. Ushtria liroi nga detyra edhe udhëheqjen e njësisë ku shërbente oficerja Guillén, kolonelin Ralph Overland dhe Majorin Bradley Knapp.

Shefi i Shtatëmadhorisë, Gjenerali James C. McConville, tha se ai telefonoi familjen ushtares Guillén përpara konferencës për shtyp duke u zotuar se do të transfonte mjedisin e punës në ushtri. McConville tha se ai i tha nënës së ushtares Guillen se Ushtria Amerikane ishte përgjegjëse për vdekjen e vajzës së saj dhe u zotua të rregullojë problemet që çuan në vdekjen e saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button