Kronika

Pezullohet testimi për mësuesit e rretheve

I konsideruar si proces “nul”, MAS në dilemë për zhvillimin e tij në vijimësi

Pezullohet provimi i parashikuar nga Ministria e Arsimit për testimin e aftësive të mësuesve. Rreth dy javë përpara se Instituti i Zhvillimit të Arsimit të kishte gati rezultatet e provimit të zhvilluar për mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës, në MAS është diskutuar mundësia për anulimin e tij në vijim. Ndonëse nuk konfirmohet ende zyrtarisht, burime konfidenciale për gazetën “Shqip”, bëjnë me dije se i sigurt është fakti që provimi do të pezullohet të paktën për disa kohë, ndërsa nuk dihet nëse ekziston ose jo mundësia e zhvillimit të tij për mësuesit e rretheve, siç edhe u premtua nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë prezantimit të kësaj nisme.

Shkaku i pezullimit

Të njëjtat burime sqarojnë për gazetën se shkak për pezullimin e provimit të aftësive të mësuesve është fakti që procesi është konsideruar “nul”, pasi nuk të çon askund. Për aq kohë sa rezultatet e testimit nuk kanë për qëllim rritje të pagës sipas vlerësimit apo shkarkime për të dobëtit, zyrtarët e MAS-it, pas konsultimeve me ekspertët e arsimit, janë në dilemë nëse kjo nismë do të vazhdojë apo do të mbarojë me kaq. “Argumentimi se rezultatet e testimit do të na çojnë në një panoramë të përgjithshme të situatës ku ndodhet niveli i arsimtarëve, për sa u takon aftësive të tyre për të menaxhuar rastet dhe situatat përbën kuptim. Por kjo fare mirë mund të arrihet edhe nëpërmjet plotësimit të një formulari a pyetësori, ku mësuesit mund t’u përgjigjen pyetjeve të caktuara, pa qenë nevoja të testohen, që qoftë si fjalë apo qoftë si nismë, pavarësisht se nuk synon të shkarkojë njeri nga detyra, është e papranueshme”, shpjegojnë burime konfidenciale në Ministrinë e Arsimit. Mësuesit e Tiranës, të cilët u testuan të parët dhe me gjasë do të jenë të fundit, mbi aftësitë e tyre menaxheriale mbi problematika të ndryshme në shkolla, mes të cilave më e rëndësishme marrëdhënia mësues-nxënës, arritën të vlerësohen mbi mesataren e pikëve.

Pikët e fituara

Gazeta “Shqip” publikoi dy ditë më parë pikët e arritura nga arsimtarët, një nga të dhënat zyrtare të arritura nga vlerësimi i bërë prej ekspertëve të Institutit të Zhvillimit të Arsimit, ndërsa mungonin fushat specifike, ku mësuesit kanë dalë mirë ose keq. Kjo pasi, sipas përfaqësuesve zyrtarë të këtij institucioni, bilanci i plotë i këtyre të dhënave është në përpunim e sipër dhe se do të bëhet publik, pasi MAS-i të japë aprovimin e saj për këtë të fundit. Megjithatë, ajo që mësuam është se nga 30 pikë që ishte totali i mundshëm, pjesa më e madhe e mësuesve të kryeqytetit arritën të siguronin 19 pikë. E thënë ndryshe, rezulton se pjesa më e madhe e tyre është vlerësuar mesatarisht, çka do të thotë se sa u takon aftësive të tyre për të komunikuar, si edhe për të menaxhuar rastet që mund të bëhen shkak për krijimin e konflikteve apo të tjera, mësuesit e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të Tiranës janë të përgatitur. Ndërkohë, pas përfundimit të raportit final, që pritet të realizojë IZHA, dokument që do i dërgohet Ministrisë së Arsimit, ku do të renditen në detaje pikët e marra nga mësuesit në çdo fushë, do të shihet nëse kjo panoramë e përgjithshme do të shërbejë ose jo për ofrimin e trajnimeve në ndihmë të aftësimit të tyre, tezë ende e paprovuar, e cilësuar si e dyshimtë, pas dilemave për realizimin apo anulimin e saj në vazhdim. Nga provimi i zhvilluar në Tiranë u përjashtuan mësuesit mjeshtër, që klasifikohen në kategorinë e parë, për shkak se kanë 20 vite përvojë pune në fushën e arsimit, zëvendësuesit dhe ata të shkollave profesionale, pasi u tha se këta të fundit mund të testohen në një moment të dytë. Kjo, për shkak se u mendua që për këtë rast të kishte një marrëveshje me Ministrinë e Mirëqenies Sociale, duke qenë se prej dy vitesh arsimi profesional është nën përgjegjësinë e kësaj të fundit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button