Arte

Pikaso, pengu i Sadik Kacelit

Sadik Kaceli nuk e harroi asnjëherë atë mesditë në “Kafenë e mbretërve Du Mago” në Paris. Për më shumë se një orë, studenti shqiptar nuk e ndau vështrimin nga tavolina vetëm pak hapa prej tij, ku bri një kapele elegante, portreti i një burri me sytë e vegjël, por shprehës, ndiqnin me vëmendje bisedën e njerëzve që ishin ulur pranë tij. Ishte ashtu siç e kishte imagjinuar. Krejt i shpenguar dhe me një mister që e rrethonte si një mëndafsh gjithë qenien e tij. Ai ishte Pablo Pikaso, një prej personazheve më të njohura në Parisin e pas viteve ’40, veprat e të cilit po ekspozoheshin në galeri të njohura arti kudo në botë. Për gati një orë, Sadik Kaceli luftoi me drojën për të kapërcyer emocionet dhe të shkonte ta përshëndeste mjeshtrin e madh. Solli në mendje dhe fjalët që do t’i thoshte, kur ishte përballur për herë të parë me pikturat e tij dhe fjalë të tjera që i erdhën ashtu me gëzimin e këtij takimi të papritur. Por droja nuk e la të thoshte asnjë prej këtyre fjalëve, duke u kthyer i heshtur në dhomën e tij në mbrëmje, e duke i thënë vetes që “duhet t’i kishe folur”. Pablo Pikaso ka qenë një personazh që ka lënë gjurmë në kujtimet e artistit Sadik Kaceli, gjatë kohës që studionte pikturë në Paris. Një prej artistëve më të rëndësishëm të shekullit XX, frymëzues i kubizmit, Pikaso binte në sy dhe për jetën e tij të lirë, që reflektohej në veprat që realizoi. Gjatë viteve të studimeve në Paris, Sadik Kaceli është përballur dy herë me Pikason, dhe gjatë këtyre përballjeve nuk ka mundur të realizojë ëndrrën e heshtur për t’i folur. Këtë peng të heshtur Kaceli e shkruan dhe te kujtimet e tij, teksa tregon kohët në Paris. “Atë kohë Pikaso do të ishte rreth të 60-ave. Një rastësi bëri që të jem përballë me të, te ‘Kafeja e mbretërve Du Mago’. Një orë e tërë pranë tij e unë s’guxoja t’i ndërprisja diskutimin që kishte me të tjerë. Nuk guxova, ja që e tillë ishte edukata ime”, shkruan Kaceli. Por drojën nuk do ta kapërcente as kur mori pjesë në ekspozitën e tij personale. “Jo më trim u tregova edhe në rastin tjetër, në ekspozitën që Pikaso hapi me motivet e panjohura të pëllumbave si protestë kundër luftës. E pashë sërish atë gjigant tek rrinte midis dy qenve të tij të mëdhenj, ulur mu në mes të sallës. Njerëzit përreth ishin si mizat. S’iu afrova menjëherë, por ndërkohë që përgatitesha, dy të rinj amerikanë, praktikë të përjetshëm e “të paturpshëm” në të tilla raste hynë menjëherë në bisedë e shoqëri me të. Përsëri s’guxova të afrohem. Isha tepër i përmbajtur edhe se e kuptoja fare qartë absurdin e tërë kësaj sjelljeje … Vonë e mora vesh që Pikaso e kishte pasur shtëpinë, fare afër Akademisë sonë …”, shkruan Kaceli. Pas një udhëtimi me vapor a tren në shtator të vitit 1936, Kaceli mbërrin në Paris. Gjatë një takimi me studentë shqiptarë ai do të befasohej, pasi në Paris në atë kohë studionin rreth 50 studentë nga Shqipëria. I ndrojtur nga natyra, artisti shqiptar do ta ruante këtë tipar të karakterit të tij gjithë jetën. Akademia “Ecole Nationale Superieur des Beaux Arts” ku u regjistrua për studime do të ndryshonte konceptin e tij për artet. Talenti i tij do të spikaste që në konkursin e parë ku mori pjesë në këtë shkollë. “Organizohet një konkurs. Objekti për t’u vizatuar ishte një figurë burri nudo. Emocioni ishte shumë i madh dhe kur u shpalla fitues m’u mbajt fryma. Kisha dalë unë fitues, por çmimin material e mori një francez, që kishte dalë para meje. Ja që kështu ishte tradita franceze”, shkruan ai në kujtime. Ky punim ndodhet tashmë në albumin tradicional të Akademisë parisiane … Kohët në Paris duket se nuk do të shlyheshin asnjëherë nga kujtesa për artistin që do ta bënte artin e tij në kushtet e censurës. “Francezët nuk më pyesnin kurrë se cilit besim i përkisja. Ata më kanë dashur e më kanë respektuar si koleg të tyre shumë të afërt, e sidomos kur fashistët pushtuan vendin tonë. Një gjë u bënte përshtypje. Kur prezantohesha, ata me keqardhje thartonin fytyrën e thoshin: Kështu të quajnë vërtet?! Por edhe unë u thosha se jam mysliman e se emri Sadik arabisht do të thotë njeri i drejtë, rob i Zotit e besnik. U thosha se ky emër nuk ka atë kuptim të keq si në gjuhën frënge (në frëngjisht do të thotë sadist). Në Paris m’u dha rasti të njihem me artin mysliman sidomos me pikturën persiane, sa artistike aq edhe origjinale. Më kujtohet një ekspozitë për Kuranin, me libra të mbledhur nga të gjitha vendet e botës, e cila u hap në Bibliotekën Kombëtare të Parisit. Kuranët, si objekte ekspozimi kishin një bukuri të rrallë. Çdo faqe ishte e pikturuar me ngjyra ylberike, e rrethuar me ar e argjend, e në mes shkruar me kaligrafi arabe. Çdo libër ishte një kryevepër arti me vlera të padiskutueshme …”, shkruan artisti në kujtime. Njohja e mirë e frëngjishtes, do t’ia bënte më të lehtë qëndrimin. “Gjatë një viti arrita të zotëroja frëngjishten aq sa nuk dalloja nga francezët. Them se këtu më ndihmoi fakti që u shkëputa nga shokët e mi shqiptarë shumë shpejt, vetëm një muaj pas mbërritjes në Paris. Jetova me studentë francezë e kjo më ndihmoi të kaloja çdo pengesë …”, kujton ai. Të paharrueshme janë dhe shëtitjet në Luvër, ku rrinte me orë të tëra përpara autorëve që ia donte zemra aq shumë si Rubens, Rembreandit, Velasques etj”. Pedagogu i tij kryesor ishte piktori Fernand Sabatte, ndër më të njohurit në rrethet artistike të Parisit, bashkëstudent me Mattiss-in. Të dy bashkënxënës të piktorit të dëgjuar dhe pedagogut të njohur Gustav Moreau. Sabatte ishte anëtar i Institutit të Francës. Në këtë mori ngjarjesh Kaceli i ri duket se nuk i ka shkuar në mendje të ketë kontakt me Matisse-in, i cili jetonte asokohe në Nisë, në jug të Francës. Por veprat e tij të adhuruara, ai i shihte në çdo kohë e vend, kur ekspozoheshin në Paris. Kaceli rrëfente për një detyrë “Nudo”, ku profesori i tij vuri re influencën e Matisse dhe e këshillon: “Artisti duhet të gjejë vetveten”. Kjo këshillë pedagogjike me vlera të thella, zuri vend tek ai si një prirje e qartë drejt së ardhmes. Parisi mbeti gjatë te Kaceli, jo vetëm për kujtimet e bukura të rinisë, por dhe si vendi nga ku mund të arratisej në ëndrra gjatë kohës kur jetonte në Shqipërinë komuniste dhe kur raportet me lirinë krijuese do t’i mungonin gjatë …

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button