Pikëpyetjet mbi itinerarin: Atentatorët ecën për 30 km pa u ndalur nga policia?!
Një foto e shpërndarë nga policia dje tregon dy ekzekutorët e Tan Santos, hipur në motor, duke ikur me shpejtësi pasi kishin kryer ekzekutimin. Pak më tej ishte një polic rrugor i cili me sa duket as i kishte vënë re fare ekzekutorët. Nëse shikon vendin ku është bërë kjo foto, kupton se ajo është fare pranë Presidencës. Çka do të thotë se vrasësit janë në sekondat e para të arratisë pasi kanë kryer krimin, pasi kanë shpejtuar mbi 200 metra.
Distanca fizike flet qartë se kjo foto është kapur në një moment ku sapo ka ndodhur ngjarja dhe me gjasë polici as nuk është njoftuar dot se pak më tej ka ndodhur një vrasje, vrasja sapo kishte ndodhur. Ndaj dhe për policin ata kanë qenë dy persona krejt të pa dyshimtë hipur mbi motor dhe krejt të kujdesshëm, me kokore dhe në respekt të rregullave të qarkullimit.
Ajo çfarë ngjall njëfarë interesi, është itinerari i vrasësve në 30 minutat në vazhdim, ku policia ishte njoftuar për ngjarjen. Sipas versionit që jep policia, i konfirmuar mbrëmë në linje telefonike per DITA edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi, itinerari pasi motori ka dalë nga Presidenca ka vazhduar në trajektoren për nga: Liqeni-Unaza e Madhe-Kristal-Irfan Tomini-Rruga e Kavajës-Rruga Durrësit- Zogu i Zi-Autostradë-Fushë Krujë. Duket e cuditshme qe dy atentatoret kane rrezikuar kaq shume duke qendruar kaq gjate në rruge, kur mund të fshiheshin shume me shpejt ne Tirane, por Didi pohoi se itinerari ka qene pikerisht ky.
Atehere nëse llogarisim si një itinerar rreth 6-8 kilometra nga pika e Presidencës deri tek Zogu i Zi, atëherë i bie që deri në Fushë-Krujë, vrasësit kanë përshkruar një distancë prej rreth 30 kilometrash, pasi distanca Tiranë-Fushë-Krujë është 23 kilometra. Ky udhëtim me motor kërkon të paktën një kohë prej 25 minutash nëse je me shpejtësi maksimale, shkon dhe 40 minuta nëse ecën normal dhe s’do të tërheqësh vëmendje. Kjo është dhe koha kur ekzistonin mundësi të mira që nëpërmjet pritave dhe postblloqeve të bllokoheshin pikat dalëse të Tiranës por edhe pikat kyçe të autostradës. Kjo nuk ka ndodhur. Pyetjes së DITA se si ka mundësi një gjë e tillë, drejtori Didi iu përgjigj që po hetohet.