Pilula kundër alkoolizmit: çfarë është dhe si funksionon?
Ekziston edhe një pilulë kundër alkoolizmit, por cila është ajo dhe si funksionon? Bëhet fjalë për një ilaç me bazë nalmenfenin. Ai është shpikur për ata të cilët janë të varur prej alkoolit: meshkujt që konsumojnë më shumë se 60 gramë në ditë dhe femrat më shumë se 40 gramë. Ilaçi nuk duhet të përdoret i vetëm, por duhet të shoqërohet me një suport psikosocial. Gjithashtu duhet të përdoret vetëm në rastet e personave që nuk kanë simptoma fizike të abstinencës.
Përbërësi aktiv në këtë ilaç, është në gjendje që të lidhet me disa receptorë që luajnë një rol të rëndësishëm te varësitë. Konkretisht, nalmefeni lidhet me këta receptorë për të modifikuar aktivitetin e tyre. Në këtë mënyrë, ai redukton dëshirën për të konsumuar alkool tek ata persona që janë mësuar të pinë shumë.
Përmes studimeve shkencore që u bënë për këtë pilulë, është bërë e mundur të verifikohet se ajo nuk është efikase vetëm për të reduktuar numrin e ditëve të pirjes së alkoolit, por rezulton e rëndësishme edhe për zvogëlimin e sasisë së alkoolit që konsumohet çdo ditë. Te pacientët që kanë ndjekur trajtimin, janë shfaqur përmirësime shumë domethënëse, që janë vëzhguar sidomos në katër javët e para.
Si përdoret?
Pilula kundër varësisë së alkoolit presupozon që pacienti të regjistrojë konsumin e tij të alkoolit për një periudhë prej dy javësh, përpara se të fillojë trajtimin. Në këtë mënyrë, mjeku mund të regjistrojë, në vizitën e tij të parë, nivelin e varësisë. Trajtimi mund të ndërmerret vetëm te pacientët, të cilët kanë vazhduar të kenë një konsum të alkoolit të tepërt. Pilula merret nëpërmjet gojës, sipas nevojës apo sa herë që rritet rreziku për të pirë alkool. Zakonisht duhet të pihet 1 ose 2 orë përpara orarit të parashikuar për konsumim alkooli ose nëse personi ka filluar të pijë pa marrë pilulën, duhet të marrë një tabletë të tërë sa më parë të mundet.
Efektet anësore
Edhe pse nalmenfeni mund të përdoret për trajtimin e alkoolizmit, nuk është e mundur të mendohet se një pilulë mund të zgjidhë problemin, nëse nuk merren parasysh edhe faktorët psikologjikë, të cilët janë në bazë të arsyeve që e shtynë një person që të pijë. Për të mos u harruar janë edhe efektet anësore më të zakonshme, që janë regjistruar te disa pacientë, si: përgjumja, takikardia, djersitja e tepërt, marramendja, hipertensioni, të përzierat dhe të vjellat. Gjithashtu, konsumimi i kësaj pilule (nalmenfeni) nuk këshillohet gjatë shtatzënisë dhe gjatë periudhës së ushqyerjes së fëmijës me gji. Ndërkohë, ky lloj ilaçi, nuk duhet të merret nga ata që përdorin opioidi, sepse ai reagon te të njëjtët receptorë në tru.