Opinion

Po na çorodisin që të na mbajnë pa frymë

Nga Zamira Çavo

Në këtë vend zor se gjen njeri që në këtë kohë është i kthjellët të kuptojë se çfarë po ndodh me vendin e vet. Bomba mediatike e shfarosjes në masë, tashmë është plasur. Të gjithë flasin, thonë, akuzojnë dhe ulërijnë, por asnjë nuk e merr dot vesh të vërtetën. Me dhjetëra orë biseda televizive, ku palët bërtasin duke akuzuar për vjedhje, mashtrime miliona eurosh. Me orë të tëra Parlamenti ku çirren individë të pamoralshëm që japin moral. I dëgjon qytetari i varfër dhe psherëtin i lodhur dhe i pafuqishëm për të reaguar.

Nga ana tjetër, qeveritarët dalin e flasin për suksese e arritje të papara dhe sërish qytetari i gjorë përpiqet të shikojë gjëkundi ndonjë copëz arritje. Opozita e sotme, shkaktarja e madhe e vuajtjeve tona të viteve të kaluara, sot ulërin për drejtësi dhe nxit me një thashethemlogje të paparë adrenalinën popullore. Flet për tenderë qindra milionësh që i merr Rama dhe “miqtë e tij”, flet për vjedhje e shpërdorime, në një kohë kur vetë ka lyer duart me gjakun dhe paratë e njerëzve të varfër.

Media, kjo e shitur kokë e këmbë në interesa të vogla private, as që merr mundimin të filtrojë lajmin, por është kthyer në një megafon të tallavasë mendore të popullit. Është një gjendje kaotike informimi e dezinformimi, ku vetëm komunikimi real mungon. Dhe kjo gjendje që e shkarkon me një stres e vuajtje të paparë në opinionin publik u intereson vetëm politikanëve, biznesmenëve të sojit zvarranik pas pushtetit, u intereson batakçinjve dhe hajdutëve të këtij vendi. Ndërsa njerëzit e kanë shumë të vështirë të orientohen.

Bëhet një emision, ku përballë gazetarëve qëndron Kryeministri, ky i përfolur i çdoditshëm në sferat e jetës së vendit. Çfarë u tha, askush nuk e mori vesh. Kryeministri tha ato që i dukeshin atij të drejta dhe, nga ana tjetër, gazetarë (që shkojnë në emisione të tilla sikur do të pinë kafe) që pyesin e flasin qesim. Pse e bëjnë këtë? Fare thjesht: u intereson çoroditja mendore e njerëzve! Si mund të pyesësh një Kryeministër me llafe të dëgjuara dhe me asnjë shënim të mbajtur për shifra fakte apo qasje problematike? Si mund të pretendosh që po i jep opinionit publik një përplasje “tezë–antitezë” që ai vetë ta nxjerrë sintezën?

Opinionistët u strukën në atë çka dinin ose donin të bënin, por kurrsesi nuk u përballën me Kryeministrin. Askush nuk e pyeti se sa është varfëria dhe çfarë planesh ka qeveria për ta zbutur këtë varfëri. Askush nuk u kujtua të thotë se sa është numri i bizneseve të huaja në Shqipëri dhe si është ai i krahasuar me vendet fqinje, si Maqedonia apo Mali i Zi. Askush nuk u pyeti Kryeministrin se çfarë kupton ai me reformë në shëndetësi, në arsim apo në pensione? Si ka mundësi që në të gjitha këto fusha u trumbetua me forcë reforma dhe hapat mbrapa janë po kaq të dukshme si regres në cilësi e në përmbajtje? Dhe për këto ka shifra e shembuj të pafund.

Por sigurisht që të pyesësh për këto duhet më parë të kesh kërkuar, lexuar, investiguar dhe nxjerrë shifrat e duhura. Por jo. Kryeministri shkon dhe shpenzon kohën e tij për një dalje publike, ku thotë pikërisht ato që nuk ka mundur t’i thotë në mjedise specialistësh dhe gazetarët rrinë e bëjnë sehir, duke u hequr si të “lënduar” nga gjuha cinike e Kryeministrit.

Po si mund të anashkalohet thënia cinike e Kryeministrit (tipike për një të djathtë radikale) se “dhe nëse banorët e një pallati ngrihen dhe thonë se x na prish cilësinë e jetës, por ky x që po ndërton është në rregull me ligjin, unë nuk pyes për banorët”! Po si nuk pyet për komunitetin, o zoti Kryeministër! Për çfarë pyesni ju, për individin? Dhe thoni që jeni i majtë. Por ju mirë bëni kur tre “analistët më të mirë të vendit” nuk reaguan.

Nga ana tjetër, shikon një emision që vërtitet në një qerthull akuzash e kundërakuzash me një panel që nuk di as kujt t’i besojë e as përse të flasë. Mjafton që gjërat të thuhen, por se si thuhen, ku shkojnë e sa “vrasin”, kjo nuk ka rëndësi. Opinionistët marrin paratë për t’ia bërë mendjen çorbë këtij populli. Flitet me emra dhe me hamendësime. Flitet për korrupsion marramendës, ndërkohë që popullit i dridhet buza për ujin e pijshëm që i duhet ta blejë dhe energjinë që i duhet ta paguajë. Flitet për dogana pa “tra” dhe tatime me “tra”. Ai qytetari i thjeshtë që rri e dëgjon, befasohet, nuk di kujt t’i besojë dhe për të shpëtuar nga këto zhurma shpërthyese në mendjen e tij, vrapon rrugëve të botës. Kërkon të ikë nga sytë këmbët. Po mirë nuk e bën, sepse ua lë rrugën plotësisht të hapur këtyre lloj batakçinjve që nuk pyesin për barkun e uritur të fëmijës, për mungesën e strehës së një familjeje, për mjekimet e një të sëmuri. Vetëm kaos, një kaos që paralizon. Për këtë përpiqet media, politika dhe tallavaja çoroditëse që gatuhet nga politika. Ajo e vjetër dhe kjo e reja …

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button