Libri

Poetja italiane Izabela, pasardhësja e Skënderbeut

Poeteshës Izabela Kastrioti (Scanderbeg) nuk i çel vend me përfillje të dukshme vetëm Enciklopedia italiane e Njerëzve të Shquar. Emri i saj, me një vëllim jo të vogël shpjegues, gjendet edhe në fjalorin enciklopedik të famshëm italian, Treccani. Aty shkruhet se “CASTRIOTA SCANDERBEG, Isabella” shënon se ka lindur në Leçe, më 1 shtator 1704 prej prindërve Alessandro dhe Irene Pieve-Sauli

Në degën kastriotase të Leçes në Itali lindi më në fund Gjergji më i ri.

Alesandro edhe Paola e Xhulio, qenë krijesa të dashura të babait të tyre, Gjergjit të Katërt të degës Kastriotase të Leçes, i cili pati lindur në 1931 dhe ndërroi jetë në 1996. Ky Xhorxho qe martuar me Maria Tereza Bandelon (Maria Teresa Bandello), të cilën kam pasur rastin ta takoj jo vetëm një herë, në rezidencën-kështjellë të Kastriotëve të Leçes, në Rufano, Leçe.

Paola është fëmija e tyre më e madhe, sot 57-vjeçare, avokate. I dyti është Alesandro (aktualisht në moshën e 56 viteve). I fundit i fëmijëve të Gjergjit të Katërt dhe i Maria Terezës, Xhulio, ka mbushur 51 vite jetë.

Sipas këtij rendi në linjën e së drejtës si trashëgimtar i linjës mashkullore të degës kastriotase natyrore të Leçes është Alesandro. Mirëpo dy fëmijët e parë të tij qenë dy vajza (Xhulia dhe Izabela), shumë të mprehta si i ati dhe mjaft të ëmbla e të urta, si nëna e tyre, belgia Karolina Tulkens (Caroline Tulkens).

Mundësia e të pasurit një djalë dukej e vështirë

Për fat, djalin e lindi i vëllai i vogël, gjyqtari shumë i njohur italian, Xhulio, dhe me këtë rast në degën e tyre u sigurua vijimi.

Të mos harrojmë se tre degë të tjera të dinastisë së Kastriotëve në Itali, që rridhnin, siç kemi shpjeguar në shkrimin e djeshëm, prej djemve jashtëmartesorë të nipit të Skënderbeut, dukës Ferrante, janë shuar pikërisht për shkak të moslindjes së meshkujve.

Por, për fat, dy degët e mbijetuara për afro një gjysmëshekulli, ajo e Leçes dhe e Napolit bëjnë vazhdimisht djem, cilësi që e kishte edhe i ati i Gjergjit në Shqipëri, Gjoni, me katër të tillë. Pasoi Skënderbeu me të parin fëmijë të lindur menjëherë mashkull (Gjonin). Ky i fundit kishte katër djem dhe një vajzë (Gjergji, Kostandino, Federiku, Ferrante dhe Maria). Trashëgimtari vijues, duka Ferrante, e vazhdoi traditën me një vajzë brenda martesore (Erina) dhe pesë djem jashtëmartesorë (Federiku, Alfonsi, Pardo, Akili dhe Çezari).

Kjo epërsi e dukshme e lindshmërisë mashkullore te Kastriotët, me sa duket, u riprovua edhe tek Alesandro. Në lindjen e tretë të Karolinës, më 7 shtator 2013, dhjetë mote më i vogël se motra e tij Izabela dhe njëmbëdhjetë prej Xhulias, doli në jetë djali i tyre, Gjergji i Pestë i pemës gjenealogjike, dega e Leçes. Quhet Giorgio Vitantonio Erik. Sigurisht është një Castriota. Ky Gjergj vetëm trevjeçar, më i vogli i pasardhësve realë të Skënderbeut në Itali, duket si i lindur për të qenë një njeri jo i luftës, por i dialogut dhe i paqes

Kurorë intelektualësh

Siç e rrëfyem në shkrimin e ditës së djeshme, ndërsa pasardhësit natyrorë të Heroit tonë Kombëtar të degës së Napolit rridhnin prej djalit jashtëmartesor të nipit të Skënderbeut, dukës Ferrante, Akilit, ata të degës së Leçes kanë themelues të tyre vëllanë tjetër, edhe ai jashtëmartesor, Pardon. Ky ka lindur në 1538 dhe vdekjen e pati në vitin 1574. Pardo ka qenë martuar me Antonela Stefanjolin.

Pas tij në pemën gjenealogjike të familjes vazhdon Fabio Konstandino (Fabio Costandino), 1574-1615, i cili pati lidhur jetë bashkëshortore me Antonia Verdeska. Pasardhësi tjetër, Costandino, i thirrur më pas Alessandro (1616-1643) qe martuar me Donada Kurki (Donada Curchi).

Shkon më tej dega kastriotase e Leçes me Vitantonio (1641-1716), vënë kurorë ky me Isabella Castriota Scanderbeg i Morixhinos (Morigino). Këtu shfaqet rasti i parë i një martese të pasardhësve të Skënderbeut brenda për brenda fisit.

Në pemën gjenealogjike pason Alessandro (1659-1743), i martuar tri herë, dy prej tyre janë bija në familje markezësh.

Brezi i mëpasshëm ka trashëgimtar të parë të emrit të shquar të familjes Vitantonio (1717-1811). Ky qe klerik. Ishte martuar me Donikën (Donica Kastriota Skanderbeg) të baronëve të Galianos. Kjo është hera e dytë në degën e Leçes kur dy të të njëjtit gjak krijojnë familje dhe pasardhës të të njëjtit stërgjysh të famshëm.

Vijon Alessandro (1748-1803), guvernator, me jetë të lidhur përgjithmonë me Anxhola (Angiola) Lentini, në qytetin dhe rrethinat e Manopolit, grua me titull fisnik.

Më pas, në pemën gjenealogjike, ia behu Gjergji (Giorgio) (1796-1846), gjykatës i Gjykatës së Lartë Kriminale. Qe martuar me Karlotën (Carlota Lopez y Royo), e dukëve në Taurisano.

Pastaj erdhi një Alessandro tjetër (1834-1875), me bashkëshorte Marie (Maria Mariglia). Giorgio i viteve 1871-1906 qe pasardhësi i radhës i degës kastriotase të Leçes, i martuar me Françeskën (Franceska Bottari) nga baronët e Paretaltos.

Gjenerata pasuese e Kastriotëve të Leçes vijoi me një Alessandro të gjashtë (1898-1959). Ky pati shoqe jete Ida Pio.

Sipas arkivës së familjes që ruhet në rezidencën e tyre të Rufanos, ajo në historinë e saj ka pasur një kryetar bashkie të Leçes, poeteshën e njohur Izabela (Isabella), e cila zë vend edhe në Enciklopedinë italiane të Njerëzve të Shquar. Kanë pasur edhe avokatin Federino, i cili në gjyqin politik kundër republikanëve garibaldinë të famshëm si Luixhi Setembrini, Filipo Agresti dhe Silvio Spaventa, u bëri një mbrojtje të zjarrtë.

Nuk mungon në biografinë e familjes së tyre Kastrioti të degëzimit të Leçes edhe një komandant Garde Mbretërore, po ashtu edhe një bashkëshorte ministri të Brendshëm.

Stërnipi i Skënderbeut pëlqehet nga turqit modernë

Ndërsa në degën kastriotase të Napolit, gjatë gjysmëshekullit të jetës në Itali bien më shumë në sy veprimtarët politikë dhe shtatet e lartë, në atë të Leçes zotërojnë intelektualët dhe siluetat fizike më të brishta.

Këtë prirje të tyre e përfaqëson shumë dallueshëm trashëgimtari i tanishëm, Alesandro Kastriota Skanderbeg.

Ai është, në profesionin e vet të mjekut radiolog, shkencëtar. Bashkë me një koleg të tij, Bruno Delapikola, ka shkruar librin “Abnormal Skeletal Phenotypes” (“Raste skeletore jonormale”).

Bëhet fjalë për një vëllim me afro njëmijë faqe, lëndë të cilën ia kishim parë me kohë, që kur qe dorëshkrim dhe e punonte në Romë. Libri u pëlqye dhe u botua menjëherë nga Springer Verlag në fillim të dhjetorit të vitit 2007.

Pastaj u prezantua në SHBA në një takim të madh mjekësh nga e gjithë bota.

Që prej këtij çasti, libri shitet në të gjithë globin dhe duke qenë krijesë diturie, ai blihet kryesisht nga mjekë të specializuar. Kjo është një nga arsyet që çmimi i këtij botimi të thellë në përmbajtje, por vizualisht edhe mjaft luksoz dhe me ilustrime pamjesh, shitet nga një vend në tjetrin me çmimin prej 110 deri edhe tek…549 dollarë.

Me kohë disa revista europiane, përfshi edhe një çeke, i bënë recensione të posaçme.

Por surpriza ndodhi diku tjetër, atje ku edhe fantazia më kokëkrisur e kishte të vështirë të depërtonte: në Turqi. Siç e dinë të gjithë shqiptarët, madje këto ditë ka edhe një polemikë në shtyp mes një turko-shqiptari që jeton në Tiranë dhe e ka emrin Tursun, me ndonjë historian të atdheut të vet të parë, këtu vijon trajtimi i Skënderbeut si tradhtar i turqve.

Shumë më përpara se të ndodhte ky debat apo shqetësim publik, kur ende në Tiranë me rastin e vizitës së një presidenti turk largohej nga vendi zyrtar edhe busti i Skënderbeut, në motin 2008, ndodhi një ngjarje në të kundërt të merakut të mësipërm: Turqia u tregua e hapët.

Këtë vit, në vitrinat e disa prej librarive më kryesore u shfaq libri i doktor Aleksandrit “Abnormal Skeletal Phenotypes”. Ndërkohë njëri nga website-t më të njohura të librave në këtë vend, “Izmir Tip Katabevi”, i bënte reklamë të dukshme.

Emri i autorit shkencëtar ishte vënë i plotë Castriota-Scanderbeg, Alessandro.

Izabela, jeta e saj e pazakonshme

Poeteshës Izabela Kastrioti (Scanderbeg) nuk i çel vend me përfillje të dukshme vetëm Enciklopedia italiane e Njerëzve të Shquar. Emri i saj, me një vëllim jo të vogël shpjegues, gjendet edhe në fjalorin enciklopedik të famshëm italian, Treccani. I përgatitur nga Nikolla Merola (Nicola Merola). Zëri i saj “CASTRIOTA SCANDERBEG, Isabella” shënon se ka lindur në Leçe, më 1 shtator 1704 prej prindërve Alessandro dhe Irene Pieve-Sauli.

Fjalori Treccani thotë se “familja atërore rridhte prej Gjergj Kastriotit, të quajturit Skënderbe”. Më pas informon se i ati i saj, Alessandro, sapo kishte hyrë, atë kohë, në rrethet fisnike të Leçes. “Në fakt, vijon Merola, pati ardhur në Kopertino bashkë me të atin e tij Vitantonio, për t’u martuar me Katerina Xhustiniani (Caterina Giustiniani), njërën prej familjeve lokale më të spikatura. Gruaja e vet e dytë qe prej një huadhënësi të pasur të Galipolit, e cila, përveçse e bëri baba për herë të parë, për meritë të dhuntive të saj financiare ripërtëriu gjendjen ekonomike të shkatërruar të familjes Kastrioti dhe rikonfirmoi e forcoi lidhjet me qarqet e shtresës së lartë të krahinës së Salentos”.

Fjalori enciklopedik Treccani në vijim shpjegon se “Tetë ditë pas lindjes së dy binjakeve, prej të cilave jetoi vetëm Izabela, nga ethet gjatë lehonisë vdiq edhe e ëma, duke e lënë trashëgimtare të bijën. Kur pas kësaj që i ndodhi, në krye të dy viteve nga humbja e gruas së dytë, Alessandro Castriota u martua me të renë nga Roma, Xhuzepina de Torres (Giuseppina De Torres), u shfaq fare i qartë fati i së bijës. E futën në një manastir”.

E gjithë kjo, rrëfen Treccani, ndodhi sepse gruas së tretë i duhej ta shmangte të voglën Izabelë nga e drejta e trashëgimisë prej të ëmës së saj të pasur, Irene Pieve-Sauli. Ca më shumë që kjo martesë e tretë e Alessandro Castriota qëlloi e plleshme: lindën dy meshkuj. Paolo Fraçesko (Paolo Francesco) dhe Vitantonio. Ky, siç e kemi shpjeguar më lart, u martua me Donica Castriota Scanderbeg të baronëve të qytezës Galiano. Duke i ngjarë kështu gjyshit me po të njëjtin emër, i cili po ashtu pati vënë kurorë e kryer lidhje gjenetike, brenda gjakut kastriotas.

Fjalori enciklopedik Treccani shkruan se Izabela u fut, në janar 1715, në manastirin Santa Kiara (Santa Chiara), në Galipoli. Këtë kohë është vetëm njëmbëdhjetë vjeçe.

Vendosjen në këtë kuvend murgeshash e pati dëshiruar daja i saj, Xhanbatista (Giambattista), i vetmi pasardhës i mbetur gjallë nga familja Pieve-Sauli. Ky njeri mjaft i pasur dhe pa fëmijë, me këtë zgjedhje të vet, nuk deshi vetëm ta largonte mbesën prej manastireve të tjerë famëkëqij të Leçes, por edhe për t’i rregulluar një martesë dhe kështu, duke qenë se dega e tij qe shuar, t’i siguronte familjes së tyre vazhdimësi.

Lidhja bashkëshortore u vendos, pa dijeninë e Izabelës, me baronin Filippo Guarini. Ky qe një 60-vjeçar nga qyteza e Tulies. Ceremonia u krye në 11 dhjetor 1720, në shtëpinë e Xhanbatista Pieve-Sauli, i cili atëherë qe kryetar i bashkisë së saj.

Zemërgjerësia e bashkëshortit të moshuar nuk qe e mjaftueshme për t’ia shlyer Izabelës dëshpërimin e pësuar, deziluzion i cili gjeti shfrim vetëm në ankimet që, nëpërmjet letrave, i bënte vazhdimisht të atit. Përveç periudhave të shkurtra të kaluara në Leçe dhe në Galipoli, poetesha e ardhshme mbeti shtatë vite, nga gjashtëmbëdhjetë deri në njëzetë e tre, në krah të një burri mjaft ndryshe nga ajo jo vetëm prej moshës, por edhe prirjeve. Kjo gjendje u ndërpre vetëm me ndarjen më në fund të dy bashkëshortëve, çfarë nuk u krye nëpërmjet divorcit ligjor, por mirëkuptimit të ndërsjellë. Njëkohësisht kjo u bë edhe me një kusht dashamirës të baronit: Izabela të rikthehej në Konservatorin Santa Anna në Leçe.

Në 1732, pa kompromentuar raportet me të shoqin, i cili vazhdoi t’i plotësonte nevojat e saj ekonomike, por ndërkohë duke blerë me çmim të shtrenjtë konsensusin e të atit dhe duke humbur favoret e dajës, Izabela e braktisi Konservatorin, ku pati kaluar vite të pasura me studime dhe zbulime intelektuale dhe hyri në shoqërinë e lartë të Leçes, duke shkaktuar me këtë rast kërshëri dhe thashetheme. Këtë kohë, ndërsa bënte pjesë në një Akademi, u njoh dhe ra në dashuri me një figurë letrare mjaft të njohur: Pietro Beli (Pietro Belli).

Kur burri i saj Filippo Guarini ndërroi jetë, më në fund u hap shtegu për të kryer martesën e re. Kjo ndodhi në 22 qershor 1741. Izabela ndërkohë kishte marrë prej testamentit të baronit zemërmadh jo pak trashëgimi.

Një vit më pas, lindi Raimondina dhe në 1745 vajza e dytë Irena Katerina (Irene Caterina). Kjo qe edhe periudha kur ra në sy për vargjet e saj.

Disa vite më pas, mbi të u bënë kërcënime për ta burgosur për borxhe që kishte i shoqi, Beli, i cili qe aq i pacipë sa nuk vidhte vetëm të tjerët, por edhe të shoqen. Ndërkohë Xhanbatista Pieve-Sauli në vitin 1748, vdiq.

Një dëshpërim i madh e kapi Izabela Kastrioti Skënderbe kur pa se daja nuk e kishte përfshirë në pasurinë e ndarë në testament, sepse gjithçka ia pati dhënë një nipi. Kjo ia shpejtoi vdekjen, çfarë ngjau në Leçe më 4 mars 1749.

Gjithsesi Izabela, në Itali kastriotasja më e famshme pas Skënderbeut, qe me fat. Më së pari rridhte prej një shqiptari që ishte bërë hero jo vetëm i vendit të tij, por i tërë Europës, E dyta, ishte mjaft e talentuar. E treta, pati një jetë të dhimbshme. Po ta kishte pasur të trëndafiltë shumë më pak poete do të qe dhe nuk do të tërhiqte kurrë vëmendje të shkrimit historik italian.

Profesor Xhankarlo Valone

Dega e Leçes me traditën e saj intelektuale ka edhe një emër, Xhankarlo Valonen. Ky profesor i historisë së institucioneve politike në Universitetin e Salentos është bashkëshorti i Paola Castriota Scanderbeg, motrës së Alesandros dhe Xhulios.

Ai është autor i një libri unik: “I Castriota in Terra d’Otranto” (“Kastriotët në Tokën e Otrantos”).

Kur u publikua qe viti 1993, kurse Valone e Paola u lidhën me martesë më 30 shtator 1995. Madje profesori, ciklin e studimeve të tij për pasardhësit e Skënderbeut dhe të shumë familjeve fisnike shqiptare të kësaj periudhe, e pati nisur që në vitin 1981 (“Aspetti giuridici e sociali nell’età aragonese. I Castriota in Terra d’Otranto”, në shqip “Pamje juridike dhe shoqërore në kohën e mbretërimit aragonez. Kastriotët në Tokën e Otrantos”).

Pra profesori Xhankarlo, “asi nën mëngë” që familja Kastrioti, dega e Leçes, ka, përbën një ndihmë të madhe dijeje, argumentimi dhe mbrojtjeje shkencore për të vërtetën e pasardhësve natyralë të Skënderbeut në Itali. Ai mund të quhet edhe më i mirë historian i tanishëm për këtë temë.

28 Nëntori i festuar në një aeroport

Kur në fund të nëntorit 2007, Aleksandri u nis për të marrë pjesë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në takimin ndërkombëtar të neurologëve dhe ku do të zinte vend edhe promovimi i librit të tij (me bashkautor Bruno Delapikola) “Raste skeletore jo normale”, ziente nga dëshira që 28 Nëntorin ta përjetonte ndërsa ndodhte ky prezantim.

Por kjo nuk ndodhi, Takimi u shty dhe u mbajt më 2 dhjetor. Kështu ai e festoi të shenjtën ditë të 28 Nëntorit, të lidhur me jetën e triumfin në histori të stërgjyshit të tij, por edhe të Shqipërisë si shtet i mëvetësuar, në transit, kur qe në Aeroportin e Milanos, në pritje të ndërrimit të avionit që nëpër natë do të kalonte Atlantikun.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button