Polici i vrarë, Dëshmor i Atdheut; sot i jepet lamtumira
Efektivi i FNSH Ardian Kodra, i vrarë në krye të detyrës pasditen e së premtes në Torovicë të Shkodrës, do të varroset si dëshmor.
Presidenti i Republikës Bujar Nishani, me propozim të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka shpallur dëshmor të Atdheut agjentin e ndjerë.
Gjithashtu, Kodrës i akordohet edhe Dekorata e Artë e Shqiponjës, e cila pritet t’i dorëzohet familjarëve para ceremonisë së varrimit, pasditen e së shtunës.
Familja e Ardian Kodrës ka pritur gjatë ditës së sotme me qindra njerëz që e kanë ngushëlluar për humbjen e njeriut të saj.
Kolegë të Kodrës do ta kujtojnë shokun e tyre si një njeri me zemër të madhe dhe i përkushtuar jo vetëm në punë e familje, por edhe në komunitet.
Homazhet në nder të dëshmorit të atdheut do të zhvillohen në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës nga ora 17 deri në orën 19 të ditës së shtunë.