☀️
Tiranë 19°C · Kthjellët 17 Shtator 2026
S&P 500 7,641 ▲1.18%
DOW 51,784 ▲0.63%
NASDAQ 26,429 ▲1.73%
NAFTA 101.28 ▼1.12%
ARI 4,383 ▼0.1%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1504 EUR/GBP 0.8571 EUR/CHF 0.9462 EUR/ALL 91.7764 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3700 EUR/TRY 56.0326 EUR/JPY 179.05 EUR/CAD 1.6058 EUR/USD 1.1504 EUR/GBP 0.8571 EUR/CHF 0.9462 EUR/ALL 91.7764 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3700 EUR/TRY 56.0326 EUR/JPY 179.05 EUR/CAD 1.6058
₿ CRYPTO
BTC $76,600 ▲ +0.67% ETH $2,450 ▲ +1.67% XRP $1.2957 ▼ -0.36% SOL $100.9000 ▲ +2.68%
S&P 500 7,641 ▲1.18 % DOW 51,784 ▲0.63 % NASDAQ 26,429 ▲1.73 % NAFTA 101.28 ▼1.12 % ARI 4,383 ▼0.1 % S&P 500 7,641 ▲1.18 % DOW 51,784 ▲0.63 % NASDAQ 26,429 ▲1.73 % NAFTA 101.28 ▼1.12 % ARI 4,383 ▼0.1 %
EUR/USD 1.1504 EUR/GBP 0.8571 EUR/CHF 0.9462 EUR/ALL 91.7764 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3700 EUR/TRY 56.0326 EUR/JPY 179.05 EUR/CAD 1.6058 EUR/USD 1.1504 EUR/GBP 0.8571 EUR/CHF 0.9462 EUR/ALL 91.7764 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3700 EUR/TRY 56.0326 EUR/JPY 179.05 EUR/CAD 1.6058
17 Sht 2026
Breaking
Opinion

Policia e mendimit

Nga Albatros Rexhaj

Një njeri del në mëngjes nga shtëpia. Shkon në punë, ose të marrë fëmijën. Rruga i kalon pranë protestës. Ai kalon. Nuk mban parullë. Dhe pikërisht për këtë i vjen fjala pas shpine: i shitur, tradhtar, dhe fjalë të tjera që nuk shkruhen.

Kjo ka filluar të ndodhë në Tiranë, dhe jo një herë. Duhet folur për të tani, sa është ende në fjalë.

Kushtetuta nuk ka dy versione. E njëjta kushtetutë mbron atë që thërret “Rama në burg” dhe atë që thërret “Berisha në burg”. Po ajo kushtetutë mbron edhe atë që nuk thërret asgjë, sepse mendon ndryshe, sepse nuk i beson asnjërës palë, ose thjesht sepse ka punë. Të dyja liritë i ka shkruar e njëjta kushtetutë.

Të protestosh para deputetëve është gjë e drejtë. Deputetët i ke zgjedhur vetë dhe të kanë borxh llogari. Të thërrasësh para Kryeministrisë, para Kuvendit, para çdo institucioni, është pjesë e marrëveshjes që quhet demokraci.

Gjë krejt tjetër është kur protestuesi kthehet nga institucioni drejt qytetarit tjetër. Kur i kërkon llogari fqinjit pse nuk erdhi. Kur ia di mendimin publik dikujt dhe e sulmon për të. Këtu parulla ndërron adresë: nga pushteti, te njeriu përballë, që nuk ka asnjë pushtet dhe nuk ka zgjedhur asgjë.

Këtë rregull e dimë të gjithë nga jeta e përditshme, pa hapur asnjë ligj. Në pallat mund të këndosh sa të duash brenda apartamentit tënd. Nuk mund t’i biesh derës së komshiut dhe t’i thuash që të këndojë edhe ai, ose të heshtë sipas orës sate. Liria jote mbaron te dera e tij. Vlen për këngën, vlen për mendimin politik.

Ata që dalin në rrugë kanë të drejtë të bëjnë atë që bëjnë. Ne të tjerët kemi të drejtë të bëjmë punët tona. Asnjëri nuk i ka marrë të drejtat nga tjetri, dhe asnjëri nuk ka tagër t’ia heqë tjetrit. Askush nuk është caktuar polic i mendimit, as nga populli, as nga ndonjë ligj.

Prandaj po kërkoj dy sqarime.

E para u takon organizatorëve. Nëse qëllimi është që qytetarët të përplasen me njëri-tjetrin në rrugë për bindje politike, me idenë se nga përplasja del diçka më e madhe, kjo duhet thënë hapur. Le ta dinë njerëzit ku po marrin pjesë. Nëse qëllimi nuk është ky, atëherë etiketat dhe presioni ndaj kalimtarëve duhet të ndalen pikërisht nga ata që u hapën udhë.

E dyta i takon shtetit. Shteti ka një detyrë që nuk e delegon dot, t’ia garantojë lirinë të gjithëve. Edhe atij që thërret, edhe atij që kalon. Nëse shteti nuk e garanton dot lirinë e njeriut për ta thënë mendimin dhe për të dalë lirshëm për punët e tij, edhe kjo duhet thënë hapur.

Nëse normalizohet fjalori i patriotëve dhe tradhtarëve, vetëm sepse njëri mendon kështu dhe tjetri ashtu, atëherë normalizohet edhe hapi i radhës, qërimi i hesapeve mes njërës dhe tjetrës palë. Emrat vijnë gjithnjë të parët, pjesa tjetër vjen vetë.

Nëse secili e merr ligjin në duart e veta, sepse askush nuk pret gjithë jetën që ta mbrojë dikush tjetër, ajo që vjen quhet anarki. Anarkia i mbulon të gjithë njësoj, pa pyetur kush kishte të drejtë në fillim.

Protesta ka adresë, dhe ajo adresë është pushteti. Ditën që kthehet te qytetari, duhet ta quajmë me emrin e vet.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.